Akuzave të Partisë Demokratike se me urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë, Spitali i Shkodrës ka ndërprerë operacionet për një periudhë një javore, u është përgjigjur drejtoi i këtij spitali duke thënë se kjo nuk është e vërtetë pasi bëhet fjalë për ditët që janë pushim zyrtar dhe në ditë të tilla nuk planifikohen asnjëherë operacione.
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia ka akuzuar Ministrinë e Shëndetësisë se ka urdhëruar ndërprerjen e operacioneve në spitalin e Shkodrës, pasi Rilindja jep shërbim me racion për shkak të buxhetit të tejkalimit të buxhetit të koncesionit të sterilizimit.
“Pezullohen sërish ndërhyrjet kirurgjikale. Në zbatim të udhëzimeve nga ministria, vijojnë urdhrat për ndërprerje të operacioneve edhe në spitalin e Shkodrës. Kush është planifikuar për ndërhyrje kirurgjikale jo vetëm në repartin e Kirurgjisë por tashmë, edhe në atë të Obstetrikës, duhet të presë, se shëndetësia e Rilindjes jep shërbim me racion për shkak te tejkalimit te buxhetit nga koncesioni i sterilizimit, e jo atëherë kur duhet! Shëndeti me racion, si tollonat e kohës së diktaturës! Lavdi koncesioneve PPP!!!”, thotë Spahia, i cili ka publikuar edhe një njoftim të zëvendësdrejtorit të shërbimeve klinike Shkodër, Agustim Suma ku shkruhet se operacionet e planifikuara për periudhën e festave 30 Dhjetor 2019 deri në 06 Janar 2020 do të realizohen pas 6 janarit.
I menjëhershme ka qenë reagimi i drejtorit të spitalit të Shkodrës, Ardian Dajti duke sqaruar se operacionet nuk janë anuluar për 6 ditë por vetëm për një ditë, pra në datë 30 Dhjetor, ndërkohë që ditët e tjera janë ditë pushim zyrtar. Ai tha se shkresa e publikuar nga Spahia është një komunikim i brendshëm i nëndrejtorit të spitalit me shefat e shërbimit për të krijuar një mbarëvajtje të punës përgjatë ditëve të festave dhe jo një urdhër.
“Më vjen keq që në këto ditë kur duhet të jemi në shërbim të pacientëve na duhet të reagoj për një postim në rrjetet sociale, mbi keqinterpretimin e komunikimit të brendshëm të një titullari të institucionit me shefat e shërbimit. Unë nuk e kam lexuar. Mora informacion nga mënyra si është para. Dua të bëj të qartë se shërbimi në spitalin e Shkodrës është në gatishmëri maksimale. Nuk ekziston asnjë urdhër. Është një komunikim që të jemi sa më të gatshëm për të menaxhuar këtë situatë. Në të gjithë botën ka anulim të operacioneve për të shtuar gatishmërinë. Nëse i referoheni periudhës në shkresë, bëhet fjalë vetëm për një ditë, pasi ditët e tjera janë ditë pushimi zyrtare. Vetëm ditën e hënë do të anulohen për t’u bërë në ditët në vijim. Asnjë operacion nuk pezullohet apo pengohet. Ai që e ka shkruar besoj se me një interpretim të thjeshtë e kupton që është një komunikim mes nëndrejtorit me dy shefat. Bëhet fjalë për një ditë sepse janë ditë pushim. Dhe në ditë pushimi nuk bëhen planifikime për operacione. Ky staf mjekësor i ka përballuar me vite këto flukse. Ai nuk është urdhër por një komunikim i brendshëm. Kjo po shfrytëzohet politikisht. Prej ditës së sotme po punohet normalisht“, tha Dajti.