PD i duhet të presë (Sa të lindë Jorida)

#NËRADAR


“Jam dakord me vazhdimin e revoltës…” Shprehja e Sali Berishës dy javë pas daljes nga vetëizolimi ishte e çuditshme. Me kë ishte dakord Sali Berisha? Pak më herët të enjten nga Selia Blu Lulzim Basha thoshte diçka tjetër: “Ne nuk i njohim zgjedhjet e 30 qershorit. Injorojini, përbuzini ato”, thoshte “Gandhi” trendy i Selisë Blu. Njeriu që një javë më parë, në të njëjtën orë bërtiste: “Zgjedhje pa opozitën, nuk ka dhe nuk do të ketë”.

Por befas gjërat ndryshuan shpejt. Brenda 24 orëve opozita mori mesazhin që në 30 qershor të mos dilte nga gardhi i vet. Edhe nëse dilte, të mos futej te oborri i votimeve. (E bëri vetëm një herë te shkolla Vasil Shanto, po shpejt u kuptua se dy të rinjtë thjesht nuk e njihnin Kodin Zgjedhor dhe lëvizën me shpejtësi jashtë. Të dielën ai që e respektoi më shumë se të gjithë “këshillën” amerikane, ishte Sali Berisha. Basha në mbrëmje thirri fitore, në mes të absurdit të një dite të pazakontë, kur votat nuk ishin as plumb për PD dhe as karamele për PS, por thjesht Peanuts amerikanë për të zhvleftësuar krizën e madhe dhe të paprecedentë që mori përsipër Lulzim Basha. Njeriu që në pesë muaj arriti të bënte atë që Berisha nuk e bëri dot kurrë: të humbiste një palë zgjedhje edhe pa marrë pjesë fare në to.


Pas pesë muajsh “Rama ik, nuk ka zgjedhje me Edi Ramën”, jo vetëm Rama nuk iku, jo vetëm zgjedhjet (ato farë zgjedhjesh) u mbajtën, por PD u fut në një spirale lufte me ndërkombëtarët, që e gjen sot në nivelin më të ulët në raportet me ta, dhe vetëm një fije të hollë të kuqe larg, listës së zezë së organizatave kriminale për Uashingtonin.

Atë të dielë ama, Basha ishte vetëm në festën e tij të absurdit. Atë të dielë nuk festoi Edi Rama. Dhe Sali Berisha.

Kreu historik i PD edhe në daljen e tij të parë publike të enjten, foli për revoltë, por jo për “fitore”. Zëdhënësja e tij besnike Erla Mëhilli, bashkëshorti i së cilës u la jashtë nga Basha në listën e 2017, në 1 korrik doli hapur në Instagram me Jozefina Topallin. Vetëm pak orë pasi politikania më karizmatike femër e tranzicionit shqiptar, e “masakroi” me tre fjali, 2300 komente, 400 shares dhe për më shumë me 9000 likes në Facebook, gjithë aksionin e dështuar pesë mujor të Bashës. Duke shprehur akumulimin e bazës militante të PD, frustrimin, trishtimin dhe zemërimin e një tjetër dështimi të Lulzim Bashës. Dështime të parathëna nga Topalli, që ditën e parë kur ai u fut në PD. Jo thjesht sepse pa sesi ai fitoi çuditshëm mandatin me 3000 vota plus, në një zonë të majtë në Tiranë (Njësia 7), jo vetëm sesi e trajtonte atë Lideri Suprem, por edhe kur ndjeu sesa e mbështetën atë ndërkombëtarët kur ai rrëmbeu (vodhi, varet nga këndvështrimi) por kurrë fitoi, garën për kryetar të bashkisë Tiranë. Jozefina ndjeu rrugën që po merrte lideri i ri i PD, kur mori garën me dhunën e Berishës për kreun e partisë në 2013 dhe me shifrat qesharake të Jemin Gjanës, në 2017, pas dështimit historik të PD në një palë zgjedhje, ku Edi Rama luajti me Bashën, me të njëjtën ndjenjë gazmore dhe dhembshurie që përdor çdo mëngjes me Zahon në Surrel.

Por Dështimi i 30 qershorit duket se kaloi dhe parashikimet e Topallit. Një aksion pa asnjë plan, ecur verbazi në bindjen se është “rruga ajo që na faktorizon” dhe intuita e gabuar se Rama do dorëzohej sërish, e kanë nxjerrë sot PD jo thjesht nga sistemi, por nga pritshmëritë e ardhjes sërish në pushtet për një kohë të gjatë. Së paku nga ky lidership i sotëm. “Kriza e sotme është shkaktuar nga opozita. Në demokracitë perëndimore kjo zgjidhet thjeshtë, pasi partitë ndërrojnë lidershipin që merr përsipër dështimin”, thoshte një muaj më parë, ambasadori italian Cutillo. Por mbështetësit e PD, shprehin dëshpërim edhe në këtë. Se Bashën nuk e heq kush. Së paku sa të jetë Berisha gjallë. Por duket se nuk është më ashtu.

Doktori duket po aq i mërzitur, po nuk është naiv si Ilir Meta që bën like postimet anti-amerikane të Manjanit, sa të bëjë share statusin e Topallit që parashkruante “funeralin” politik të Lulzim Bashës. Por Realstory.al ka mësuar se mes tij dhe beniaminit familjar, ka filluar faza e ngricës. Ajo duket e gjatë, e thellë dhe sipas disa burimeve diplomatike, “përfundimtare”.

Një burim pranë një selie diplomatike në Tiranë i pohoi Realstory.al se të hënën “nuk do të ketë rrëmujë në protestë, por do të ketë rrëmujë në PD”. A ishte kundërvënia e Berishës të hënën që fliste për “revoltë”, ndaj gandizmit të Lulit, shenja e parë e hapur e kësaj çarjeje përfundimtare. Berisha në ambiente të mbyllura e ka shprehur hapur frustrimin e tij, por gjithashtu dihet sa të vështirë e ka ai të pranojë gabimet historike. Ok pranoi Piramidat. Por nuk mund të bëjë “double jeapardy”: nuk mund të kërkojë dy herë ndjesë për të njëjtën gjë. Në 1997 për piramidat financiare, dhe në 2019, sërish për një piramidë. Atë politike të Lulzim Bashës që të madh ka vetëm një gjë: dështimin.

Duket se Lideri Suprem është i frikësuar nga profecia e tij fatale e pak muajve më parë kur deklaroi në mbledhje forumesh se “nëse në 30 qershor mbahen zgjedhje, PD rrezikon të shkrihet”. Që në prill kur u pa si po shkonte kjo punë, njerëzit e tij filluan të flasin se Doktori nuk kishte dorë në këtë aksion, pavarësisht se që në shtator vjet ai pat folur për këtë. Se diku nga shkurti ai i pat uruar “fat” Bashës në këtë aksion e më pas ishte tërhequr në kullën e tij. Por tashmë kur “les jeux sont fait, et rien ne va plus”, PD rrezikon realisht anihilimin. Kjo jo aq per shkak se është jashtë parlamentit, por se humbi bazën logjistike të pushtetit lokal, aq efikase në fushatat e zgjedhjeve politike. Realstory ka mësuar për dy takime të forta të kryebashkiakëve demokratë, një muaj para zgjedhjeve. Kur i kërkuan Bashës t’i linte të garonin të pavarur se mund të fitonin, pavarësisht betejës politike të PD në nivel kombëtar. Tregon njëri prej tyre: “Më mori dorën dhe më tha: më shiko në sy. Në 30 qershor nuk ka zgjedhje. Rama ikën. PD vjen në pushtet shpejt”. Dhe ne i besuam. Për të keqen tonë dhe të PD”.

Takimi i të mërkurës ishte edhe më i tensionuar. Shumë prej tyre dolën jashtë dhe thanë se nuk do të lëshojnë zyrën. Po jo se ja u tha Basha. Por pikërisht se pse ai u kërkoi të kundërtën. Pra jo revoltë ndaj 30 qershorit të Ramës, por ndaj 30 qershorit të Bashës dhe mënyrës sesi ai i nxori në rrugë, me po të njëjtën aftësi mashtrimi”, siç thotë një ndërkombëtar në kushte anonimiteti “mashtron çdo ditë hijen e tij”.

Frustrimi i të zgjedhurve lokalë ka shkuar edhe më tej. Realstory.al ka mësuar për një telefonatë të dy prej tyre me Kryeministrin e vendit, përmes një telefoni të një njeriu të besuar, ku i kanë kërkuar atij tu thotë nëse do ketë vërtet marrëveshje apo Luli i tyre i kishte mashtruar. Dhe betimi në telefon me kryeministrin kundërshtar: “Do shkojmë te Doktori. Tani o ne, o ai”.

Konfirmim të kësaj, mund të japin ata që qenë të mërkurën në takimin e bashkiakëve blu me Bashën. Ndërsa ndarja përfundimtare me Berishën, vjen nga përtej oqeanit. Aty me lobimin kundër Kavalec, “Basha is done” me Departamentin e Shtetit. Pa të bekimin e të cilit askush nuk vjen dot në pushtet në Shqipëri, përveçse nëse quhet Sali Berisha. Dhe këtij pikërisht ja tha pak muaj më parë në një takim thuajse privat, një zyrtar i lartë amerikan. Por që u shokua nga ajo që dëgjoi nga goja e vetë liderit suprem: “Jam totalisht i zhgënjyer nga zgjedhja ime”.

Natyrisht Berisha ka dhe halle të tjera me amerikanët. Në fund të fundit si të gjithë ne, duam më shumë fëmijët natyralë sesa ata të adoptuar. Dhe lënë mënjanë teoritë konspirative, PD mbetet kulla e vërtetë mbrojtëse për Berishën nga çdo rrezik i brendshëm dhe i jashtëm. Të paktën në këtë pikë, edhe amerikanët janë dakord me të. Partia Demokratike është një investiturë amerikane që prej vitit 1991. Partia që u përdor për të rrëzuar komunistët e fundit në pushtet në Europën Lindore. Prej 30 vjetësh një aset kombëtar por dhe elektoral, përballë përbindëshit të majtë, që nuk duket se dobësohet edhe kur i plasin skandalet njëra pas tjetrës. Mesa duket amerikanët dhe Berisha janë të bindur tashmë se PD duhet patjetër të ringrihet. Por këtë nuk e bën më dot Lulzim Basha.

Afëria e tij me LSi, e bën edhe më të pamundur këtë mision. Afëri që janë më shumë se politike por personale. Aq sa paradoksalisht LSI mund të jetë mbrojtësja e tij e vetme në këtë betejë kundër Sali Berishës që Basha nuk e kishte menduar kurrë. I thonin prej vitesh se duhet të vriste politikisht babën, që të ecte para, por stili i tij i jetës dhe përtesa patologjike, e bën të varur nga nervi i Doktorit dhe patericat e ilirit, nga energjia e Monikës dhe zgjuarsia e Aurelës. Dhe miqësia e të dyjave bashkë. Kryemadhi u mundua të enjten ti jepte mbështetje Bashës dhe t’i kundërvihej Berishës për retorikën e protestës së të hënës pro burrit të saj para parlamentit. Por tashmë duket shumë vonë. Berisha nuk foli për qëndresë në protestë. Tashmë në interes të tij është rikthyer PD. Qoftë dhe me sakrifikimin e miqësisë me ilirin. Për më shumë edhe të Bashës.

Të kota duken klithmat e ilir Metës në konferenca për shtyp për Mikun e tij. As paralajmërimet indirekte se ashtu siç lexoi mesazhin privat të Ramës, mund të lexojë dhe mesazhe të tjera. Tashmë Berisha ka lidhur sërish fatin e tij dhe të familjarëve të tij me amerikanët. Me një dinakëri të pashoq, edhe me PD. Tashmë atij nuk i duhet më Basha.

Realstory.al ka mësuar se Berisha tashmë e ka një emër në kokë. Dhe ai nuk është Nishani. Jo se nuk është besniku i  tij, por sepse ai erdhi në atë post në PD, edhe si investim i Metës, si garanci që Basha të mos bënte asnjë Pazar të ri me Ramën. PD i duhet një fytyre e re, qytetare, normale, mundësisht femër. Topalli? Do ishte kthim prapa. Burime diplomatike kanë konfirmuar për faqen tonë se një emër që ka filluar të bëjë lojën e saj është një ish kandidate tërheqëse për bashkiake në 2015. Por Berisha nuk e quan atë të përshtatshme. Në sytë e tij është vetëm një emër: Jorida Tabaku.

Ish nënkryetarja sharmante e bashkisë dhe e grupit parlamentar, është në muajin e saj të fundit të shtatzënisë. Ajo është fytyra që mund ta rifuste PD jo në sistem, por në preferencat e shqiptarëve, të lodhur me Viçidolin, Vuthajn dhe Shkodrën, si trekëndëshin nga duhet të dalë patjetër lideri i të djathtës. Jo. Zemra e demokracisë është Tirana. Dhe Jorida është tironse dhe “le e rrit n’tironë”.

Dhe ndër të tjera ky emër është lajm i keq për Ramën. Mazhoranca e tij ka mbijetuar edhe falë mediokritetit të fytyrave të opozitës. Por Jorida ngrihej gjithmonë mbi ta. Me zërin e qetë, veshjet elegante dhe manierat qytetare. Për më tepër me marrëdhënie të shkëlqyera me amerikanët. Për Ramën Basha ka qenë dhuratë nga zoti në këto 7 vjet. Realstory.al pat njoftuar për një plan të maxhorancës për të ofruar një plan që ta shpëtonte Bashën. Sidomos pasi Realstory.al ka mësuar se Basha i nxitur nga po ata njerëz që e hodhën në aventurën e 16 shkurtit, kësaj radhe nuk do iki me një fishkëllimë por do të rezistojë. Nuk do të japë dorëheqjen edhe po t’ia kërkojë Berisha, por do kërkojë garë. Garë ku Rama ka në dorë të ndihmojë.

Por këtu ka hasur sërish në një pengese. Të autoreve të vërtetë të krizës: amerikanëve. Me të cilët duket Basha i ka mbyllur hesapet. Po ashtu dhe Berisha, por në një mënyrë tjetër. Tani Ramës i është thënë të rrijë urtë e të presë me kë lider do bëjë tratativa potenciale në të ardhmen. Tani Ramës i duhet të presë, së bashku me pjesën tjetër të PD. Të Presë një muaj.

Sa të lindë Jorida.

/realstory.al/




Skip to toolbar