Zgjedhjet e pjesshme vendore në Kukës, për PD do të jetë të fundit ku kjo forcë politikë nuk do të jetë në garë me kandidatë. Lulzim Basha u zotua kështu përpara anëtarëve të Këshillit Kombëtar, mbledhur mesditën e kësaj të shtune e ku pritet të miratohen strukturat e reja drejtuese.
“Sot formatojmë forumet statutore të partisë. Secili që bëhet pjesë e forumeve të përtërira të partisë duhet ta shohë këtë si një mundësi dhe njëherësh si një sprovë të angazhimit, si test të vizionit se si duhet që ta drejtojmë aksionin politik të PD. Sepse, për të ndërtuar të ardhmen para së gjithash ne duhet të rindërtojmë partinë tonë, duke mbyllur një cikël të stërzgjatur intrigash, përplasjesh, bërrylash dhe keqkuptimesh.
Ne do t’u shtrijmë dorën profesionistëve, intelektualëve, sipërmarrësve, pedagogëve, të rinjve e të rejave, nga të gjitha shtresat shoqërore dhe nga diaspora, për të dhënë bashkë me ne kontributin e tyre për të normalizuar politikën, për ta bërë atë sa më përfshirëse dhe njerëzore, duke ndërtuar një urë shprese dhe besimi nga e sotmja drejt të nesërmes.
Për shkak të rraskapitjes në beteja të brendshme, nuk u kushtuam vëmendje të mjaftueshme qytetarëve. Për fëmijët e shqiptarëve dhe mirë-arsimimin e tyre. Për nxjerrjen nga kolapsi të shëndetësisë. Për të krijuar kushtet që qytetarët të kenë punësim, paga më të mira, dhe kostot e jetesës të përballueshme. Që familjet shqiptare të kenë një jetë të dinjitetshme, e të rinjtë të mos kenë frikë për të ndërtuar familjen e tyre këtu. Ndaj na takon ne të japim prova se ua kemi lënë të tjerëve obsesionin për karrike. Sepse kemi një tjetër prioritet, atë për të qenë sa më pranë njerëzve, për të qenë zëri i tyre, dera ku të trokasin për të gjetur zgjidhje për gjitha shqetësimet e mëdha e të vogla që ata kanë. Kjo është një përgjegjësi e madhe dhe është e detyra jonë t’ju dëshmojmë qytetarëve se në përfundim të këtij riorganizmini, ne do jemi në krah të tyre, duke i shërbyer interesit publik.
Dëshmi e kostove që ngjarjet brenda nesh kanë prodhuar, janë edhe zgjedhjet e Kukësit. Ne respektuam vullnetin e Degës së Kukësit për të mos nxjerrë kandidat, sepse është dhe përgjegjësia jonë, e të gjithëve bashkë, që për një kohë të gjatë u morëm me luftën me njëri-tjetrin dhe jo me ringritjen dhe riorganizimin e partisë. Sot përfundojmë plotësimin e strukturës dhe të gjithë, pa përjashtim, me mua të parin, duhet të jemi në terren për të ringritur partinë dhe për të qenë gati, kudo dhe kurdo për përballje elektorale. ” -u shpreh ndër të tjera Basha.