Demokratët kërkojnë zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme dhe e shikojnë këtë të vetmen zgjidhje për krizën politike në vend. Kështu është shprehur ish-deputeti i PD-së Oerd Bylykbashi, i cili tha të enjten në mbrëmje në një emision televiziv se zgjedhjet e parakohshme do të sjellin një parlament pluralist që do të prodhojë më pas institucione të balancuara.
Bylykbashi vë theksin te Reforma në drejtësi dhe tek zgjedhja me konsensus si e prokurorit të Përgjithshëm ashtu edhe të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke treguar edhe njëherë se lufta reale e PD-së janë pikërisht kërkesa për të pasur një kontroll mbi reformën në drejtësi.
“Kjo krizë e vetmja zgjidhje që ka janë zgjedhjet e parakohshme. E vetmja zgjidhje e shëndetshme, demokratike për këtë lloj krize janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Nga parlamenti pluralist që prodhon balanca dhe kontrolle, ne mund të kemi një prokuror të përgjithshëm që zgjidhet me konsensus siç thotë kushtetuta dhe të jetë edhe i mirë. Ne mund të zgjedhin inspektor të lartë të drejtësisë, siç e kërkon kushtetuta dhe të jetë edhe i mirë. Ne gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese mund t’i zgjedhim me konsensus. Para këtij lloj parlamenti që është zot, dikur këto kështu zgjidheshin. Shumica funksiononte për të balancuar raportet e pushtetit. Sot nuk është ashtu”, është shprehur Bylykbashi.
Por ende PD duket e paqartë dhe e paunifikuar në kërkesat e saj. Pasi nga njëra anë, luftuan dhe protestuan 5 muaj për mos zhvillimin e zgjedhjeve në 30 qershor, ndërsa tani po kërkojnë me ngulm zgjedhje të parakohshme. Një ditë Basha bie dakord për zgjedhje në 13 tetor, të nesërmen kjo përgënjeshtrohet nga Bozdo dhe thotë se kusht është largimi i Ramës dhe ngritja e një qeverie tranzitore. Ndërsa tani Bylykbashi kërkon zgjedhje, por theksin e vë tek reforma në Drejtësi, gjë të cilën Rama e ka thënë prej kohësh që e gjithë lufta e PD-së vjen për shkak të Reformës në drejtësi.