Vettingu shkarkon kandidaten e dytë për Kushtetuese në 24 orë, vetëm 1 në listë

AKTUALITET


Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra gjyqtaren pranë Gjykatës së Tiranës Anila Guri (Kristani), kandidate për Gjykatën Kushtetuese, vetëm një ditë pas shkarkimit të kandidatit Ilir Mustafaj, ndërsa në listë ka mbetur vetëm një gjyqtare.

Në përfundim të hetimin administrativ për gjyqtaren Guri për të tri kriteret, atë të deklarimit të pasurisë, të pastërtisë së figurës dhe profesionalizimit, problemet u hasën te kriteri i pasurisë, konkretisht për një vilë 3-katëshe


Gjyqtarja Anila Guri (Kristani) e ka nisur karrierën e saj në korrik të vitit 1996 në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ku shërben prej më shumë se 23 vitesh. Ajo është kandidate për një pozicion në Gjykatën Kushtetuese.

Relatorja e çështjes, Alma Faksaj u shpreh se Komisioni e kishte përfunduar hetimin për gjyqtaren Guri për të tri kriteret, atë të deklarimit të pasurisë, të pastërtisë së figurës dhe profesionalizimit, por nga relacioni u duk se KPK ishte fokusuar te pasuria e gjyqtares. Sipas relacionit problemet kryesore të gjykatëses ishin një shtëpi trekatëshe, e ndërtuar nga bashkëshorti para martese. Mungesa e të ardhurave në disa vite për blerje të dy makinave dhe dyshimet për fshehje të shtëpi në Velipojë që ishte në emër të nënës së subjektit.

Lidhur me banesën trekatëshe + bodrum në Tiranë, të ndërtuar në vitin 1998 në një truall me sipërfaqe 1000 m2, dy vjet para lidhjes së martesës mes bashkëshortëve Guri, Komisioni ka vërejtur mospërputhje mes deklaratës së vitit 2003 dhe asaj vetting. Sipas relatores Faskaj, në deklaratë është pasqyruar sipërfaqja 1000 m2 me vlerë 3 milionë lekë dhe godina dykatëshe + papafingo me vlerë 7 milionë lekë. Si burim i krijimit janë deklaruar të ardhurat e bashkëshortit nga aktiviteti privat, trashëgimia dhe të ardhurat e përfituara nga shitja e një banese në Gjirokastër në pronësi të nënës së gjyqtares Guri (Kristani) në vitin 1996. Relatorja Faskaj u shpreh se në vitin 2003 është kryer deklarim i pasaktë i vlerës së truallit dhe se nuk është pasqyruar një kat i ndërtesës. Faskaj tha se gjatë shpjegimeve, gjyqtarja Guri ka pohuar se nuk ishte deklaruar bodrumin që nuk është i jetueshëm dhe se kjo nuk mund të konsiderohej një pasaktësi.

Po ashtu, gjyqtarja në vetting tha se e vetmja pasuri e shtuar është një autoveturë tip “Wolkswagen Golf”. Por, Komisioni ka gjetur probleme edhe në blerjen e kësaj autoveture në vitin 2010 në vlerën 500 mijë lekë, ku si burim krijimi janë deklaruar të ardhurat nga puna e gjyqtares Guri dhe nga bashkëshorti i saj si avokat. “Nga analiza financiare e kryer konstatohet se nuk kanë pasur mundësi të blejnë këtë pasuri në vitin 2010, me një diferencë negative prej 152 mijë lekësh”, pohoi relatorja Faskaj.

Këto ishin problemet kryesore të gjyqtares Anila Guri (Kristani), e cila është dyta gjyqtare në 24 orë që kandidon për Gjykatë Kushtetuese, por përjashtohet nga vettingu. Të enjten, KPK shkarkoi Ilir Mustafajn. Tashmë në garë për kushtetuese mbetet vetëm gjyqtarja Regleta Panajoti.




Skip to toolbar