PD, tryezë paralele për Reformën Zgjedhore

AKTUALITET


Opozita jashtë parlamentare nuk e njeh punën që po realizon Kuvendi përmes Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore dhe ka zhvilluar të enjten një tryezë ku janë diskutuar propozimet për reformën zgjedhore dhe madje ka ngritur edhe disa grupe pune, pikërisht ashtu sikurse ka vepruar dhe Kuvendi. Në përfundim të mbledhjes që zgjati 1 orë në selinë blu, sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi tha për gazetarët se u diskutua në lidhje me financimin e partive dhe çështjet e administrimit të procesit zgjedhor. Opozita ka vendosur që grupet e punës të jenë tre dhe që të drejtohen nga ish-deputetët demokratë, Enkelejd Alibeaj, Oerd Bylykbashi dhe Ivi Kaso. Produkti i opozitës së re parashikohet të përfundojë brenda 30 ditësh dhe drafti i propozimeve do t’i dërgohet ambasadorit të OSBE-së për t’ia propozuar shumicës, duke bërë ndërmjetësin mes palëve për të gjetur pikat e përbashkëta.

Gazment Bardhi thotë se PD-ja i qëndron pikës për realizimin e reformës zgjedhore përmes një strukture të posaçme, jashtë parlamentare, ndërsa shton se parlamenti nuk ka punë me reformën, pasi janë partitë që duhet ta bëjnë.

“Reforma zgjedhore nuk mund të jetë çështje e parlamentit të Shqipërisë dhe çështjet që lidhen me reformën janë përcaktim të rregullave të lojës që marrin pjesë në zgjedhje. Në zgjedhje nuk merr pjesë parlamenti, por partitë, që të përcaktojnë rregullat me konsensus”, tha ai.

Në mbledhjen që u drejtua nga sekretari i PD-së Gazment Bardhi, ishte e pranishme nga LSI, Silva Caka, ndërkohë që edhe partitë e vogla aleate të PD-së kishin përfaqësuesit e tyre.

Mbledhja e partive të opozitës për reformën zgjedhore u zhvillua paralelisht dhe në të njëjtën orë kur edhe Komisioni i posaçëm parlamentar për Reformën Zgjedhore zhvillonte mbledhjen në Kuvend, ku PD është ftuar në mënyrë të përsëritur që të marrë pjesë.



Skip to toolbar