Këtë të premte në orën 11:00 ishte lajmëruar mbledhja e këshillit të ri në Bashkinë Devoll. Por para mbledhjes, militantët e Partisë Demokratike dhe kryetari i bashkisë në largim, Bledion Nallbati kanë protestuar përpara bashkisë duke mos lejuar zhvillimin e mbledhjes së këshillit të ri të Bashkisë Devoll. Në një prononcim për mediat lokale, kryetari aktual i bashkisë, Bledjon Nallbati është shprehur se nuk do të largohet nga zyra, pasi sipas tij, zgjedhjet e 30 qershorit nuk janë të ligjshme.
“Ne po vijojmë punën. Nuk ka pasur zgjedhje. Populli i abandonoi. Ishin zgjedhje të PS-së. Bashkia po uzurpohet. Ne zbatojmë dekretin e presidentit. 30 qershori është shfuqizuar. Do mbrojmë Kushtetutën. Nuk ka kryetar të ri as këshill të ri. Kryetarët vijnë dhe ikin me zgjedhje. Nëse bashkia pushtohet do ti ndalojmë dhe procedojmë pranë prokurorisë” deklaroi ai për mediat.
Të enjten, në një prononcim për Realstory.al, kryetari i ri i bashkisë Devol, Eduard Duro u shpreh se paraprakisht nuk kishte asnjë indicie për probleme gjatë mbledhjes së sotme. Por mesaduket skenari i PD për të penguar mbledhjen e këshillit të ri në Devoll, është organizuar gjatë mbrëmjes të së enjtes, pasi këtë të premte kanë shkuar nga Tirana edhe përfaqësues të PD dhe LSI për të mbështetur protestën e militantëve të tyre, që kanë bllokuar derën e Bashkisë Devoll.