Zjarri në pyll zbulon fishekët e fshehur

Prej dy ditësh në fshatin Nikolicë të bashkisë Devoll, është duke u djegur sipërfaqe e konsiderueshme pyjore. Të martën, veç zjarrit që është përhapur me shpejtësi, është zbuluar dhe një sasi municionesh që ishte fshehur në pyll.

Sipas Balkanëeb, një pjesë e fishekëve të zbuluar  në pyll ka shpërthyer duke rrezikuar dhe jetën e njerëzve përreth, ndërsa pjesa tjetër nuk është përfshirë nga flakët, që po djegin pyjet në Nikolicë.

Fatmirësisht deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar, si nga zjarri ashtu dhe nga municionet.

Megjithatë, zjarri po përhapet me shpejtësi të madhe i ndihmuar edhe nga erërat. Autoritetet vendore kanë kërkuar ndihmë nga ajri nga autoritetet greke për të shuar flakët, por deri më tani nuk ka pasur përgjigje.

Ndërsa në vendin e ngjarjes janë forcat zjarrëfikëse të bashkisë Devoll, të cilat po punojnë për shuarjen e flakëve.

9 orët e protestës në Devoll lodhin PD, Nallbati: Nesër jemi prapë këtu

Militantët e Partisë Demokratike me në krye ish krybashkiakun Bledjon Nallbati kanë përfunduar protestën që nisi që herët në mëngjes në orën 7:30. Pas 9 orësh “rezistencë” para Bashkisë së Devollit dhe para forcave të shumta të policisë dhe FNSH, duket se PD ka vendosur të tërhiqet.

Gjatë largimit ish kryebashkiaku demokrat, Bledjon Nallbati ka deklaruar se aksioni opozitar do të vazhdojë, pasi qytetarët  e Devollit nuk e njohin kryebashkiakun e vetëshpallur të 30 qershorit.

“Protesta sot tregoi qartë vullnetin e devollinjve për të mos pranuar farsën e 30 qershorit, cili na ka sjellë në këtë situatë duke vazhduar me urzupimin e institucioneve në mënyrë të dhunshme, jashtë orarit. Kryetari i vetëshpallur i 30 qershorit është ngujuar në zyrë të vet vetëm me njerëzit e tij duke mos mundur të organizojë dhe të zhvillojë asnjë shërbimi. Do ta vazhdojmë aksionin tonë, për ligjshmëri dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha Nallbati.

Kryetari i ri i Bashkisë së Devollit, Eduard Duro është paraqitur në zyrën e tij shumë herët mëngjesin e të hënës në orën 6:30, së bashku me forca të shumta policie kanë rrethuar godinën e bashkisë duke i paraprirë militantëve të PD-së.

Nallbati është paraqitur si gjithmonë në orarin zyrtar të nisjes së punës, me shpresën se do të hynte sërish në ish zyrën e tij, por tashmë, pas betimit si kryetar Bashkie Devoll, zyra i përket kryebashkiakut të ri Eduard Duro.  

PD pengon betimin e Eduard Duros në Devoll, Nallbati: Ne zbatojmë dekretin e presidentit

Këtë të premte në orën 11:00 ishte lajmëruar mbledhja e këshillit të ri në Bashkinë Devoll. Por para mbledhjes, militantët e Partisë Demokratike dhe kryetari i bashkisë në largim, Bledion Nallbati kanë protestuar përpara bashkisë duke mos lejuar zhvillimin e mbledhjes së këshillit të ri të Bashkisë Devoll. Në një prononcim për mediat lokale, kryetari aktual i bashkisë, Bledjon Nallbati është shprehur se nuk do të largohet nga zyra, pasi sipas tij, zgjedhjet e 30 qershorit nuk janë të ligjshme.

“Ne po vijojmë punën. Nuk ka pasur zgjedhje. Populli i abandonoi. Ishin zgjedhje të PS-së. Bashkia po uzurpohet. Ne zbatojmë dekretin  e presidentit. 30 qershori është shfuqizuar. Do mbrojmë Kushtetutën. Nuk ka kryetar të ri as këshill të ri. Kryetarët vijnë dhe ikin me zgjedhje. Nëse bashkia pushtohet do ti ndalojmë dhe procedojmë pranë prokurorisë” deklaroi ai për mediat.

Të enjten, në një prononcim për Realstory.al, kryetari i ri i bashkisë Devol, Eduard Duro u shpreh se  paraprakisht nuk kishte asnjë indicie për probleme gjatë mbledhjes së sotme. Por mesaduket skenari i PD për të penguar mbledhjen e këshillit të ri në Devoll, është organizuar gjatë mbrëmjes të së enjtes, pasi këtë të premte kanë shkuar nga Tirana edhe përfaqësues të PD dhe LSI për të mbështetur protestën e militantëve të tyre, që kanë bllokuar derën e Bashkisë Devoll.

Sot betohet kryetari i ri i bashkisë Devoll. A do e pengojë PD Eduard Duron?

Të premten në orën 11:00, është thirrur mbledhja e parë e këshillit të ri bashkiak në Bashkinë e Devollit, dalë prej zgjedhjeve të 30 qershorit. Në fakt, kjo mbledhje nuk do të jetë thjesht një konstituim i natyrshëm i ‘parlamentit’ të ri lokal në Bashkinë e Devollit dhe kryetarit të ri të sapo zgjedhur Eduard Duro, por ajo do të jetë prova e parë e forcës e opozitës, që ka deklaruar se “kryetarët e bashkive të PD-së nuk do t`i lirojnë zyrat”. Deri më sot, bashkia e Devollit është qeverisur nga Bledjon Nallbati, i zgjedhur katër vite më parë si kryetar nën siglën e Partisë Demokratike. Tashmë, Nallbatit i duhet të lërë zyrën për pasardhësin e tij, Eduard Duro, që fitoi bashkinë në 30 qershor.

Mirëpo Partia Demokratike ka deklaruar se “nuk i njeh zgjedhjet”, e për rrjedhojë, “zyrat e kryetarëve të bashkive që ka qeverisur për katër vjet, do të lirohen vetëm kur të zgjidhen kryetar të dalë nga zgjedhje të lira”, pretendon opozita. Ky është qëndrimi zyrtar që kanë mbajtur jo vetëm kryetarët e këtyre bashkive, që deri më tani janë qeverisur nga PD, por edhe i vetë Lulzim Bashës. Ndërkohë, Realstory.al pyeti kryetarin e ri të Bashkisë Devoll, Eduard Duro, rreth konstituimit të këshillit bashkiak dhe betimit të tij si kryetar i Devollit të premten në orën 11:00.

Duro u shpreh se deri tani nuk ka pasur asnjë incident apo indicie për incident nga PD dhe kryetari aktual i Bashkisë Devoll, për të penguar marrjen e detyrës nga i zgjedhuri i PS. “Nesër në orën 11:00 do të mblidhet këshilli bashkiak. Pasi të bëhet konstituimi do bëj dhe unë betimin si kryetar i Bashkisë Devoll. Nuk ka pasur deri tani ndonjë indicie apo problem për marrjen e detyrës, megjithatë të shohim se çfarë do të ndodhë të premten. Të pranishëm në betimin tim do të jenë deputetë e PS për qarkun e Korçës dhe prefekti”, tha shkurtimisht Eduard Duro për Realstory.al.

Ndërkohë, Partia Demokratike edhe pse është zotuar publikisht se do pengojë marrjen e detyrës nga të zgjedhurit e rinj, të paktën në bashkitë që katër vitet e fundit janë drejtuar nga demokratët, nuk ka folur për asnjë plan se si do e realizojë këtë në terren. Në krahun tjetër, PD është duke vijuar “luftën” e saj për të “mos njohur zgjedhjet”, duke kërkuar nga gjykatat në vend që të mos miratojnë mandatet e të zgjedhurve të 30 qershorit.

Megjithatë, deri tani, KQZ dhe Kolgji Zgjedhor, pasuar dhe gjykatat e shkallëve të para, kanë miratuar pothuajse çdo kërkesë për mandatet e kryetarëve dhe të këshillave në bashkitë e vendit, duke i hapur rrugë certifikimit përfundimtar të zgjedhjeve, pra marrjes zyrtare të detyrës nga bashkiakët e rinj. Dhe fillimi i fundit të këtij procesi do të fillojë të premten në orën 11:00 në Bashkinë Devoll, dhe pritet të përfundojë të paktën deri në datën 12 korrik. Ajo që mbetet ende për t`u parë, është reagimi i Partisë Demokratike. Prova e parë e rezictencës ose jo, do të fillojë të premten në Devoll.

Skip to toolbar