PD synon kaos, Boçi: Protesta të fuqishme nëse maxhoranca nuk ofron zgjidhje

AKTUALITET


Opozita jashtëparlamentare pret zgjidhje nga Rama. Kështu është shprehur ish deputeti Luçiani Boçi i cili thotë se në shtator PD do t’i rikthehet protestave masive në rast se maxhoranca nuk ulet në dialog dhe nuk ofron zgjidhje për krizën në të cilën është përfshirë vendi.

“Përderisa ende nuk ka një zgjidhje, sigurisht opsioni i protestave aty është dhe PD ka treguar se di t’i organizojë ato. Kjo pjesë e perceptimit që ka një detante është krejtësisht e gabuar. PD e ka deklaruar, nuk ka asnjë hap pas. Nuk lëviz nga qëndrimi i saj, madje unë mendoj që shtatori do të ketë zhvillime të tjera nëse nuk ka zgjidhje në tavolinë, nëse nuk ka përpjekje për dialog dhe nuk ka angazhim serioz nga mazhoranca për të bashkëpunuar për nxjerrjen e vendit nga kriza.

Nëse zgjidhjet nuk ofrohen, nëse zgjidhjet nuk vijnë, opozita nuk ka çfarë të humbas dhe nuk ka sesi të mos organizojë protesta. Protesta, të cilat unë do thoja që do jenë akoma më të fuqishme”, është shprehur Boçi për ora news.

Nuk dihet ende se çfarë shpreson të arrijë PD me protesta, pasi këtë rrugë ajo e ndoqi për më shumë se 6 muaj që pasi dogji mandatet e deputetëve dhe braktisi kuvendin. Përmes protestave të dhunshme u përpoq të ndalte 30 qershorin, por pas presionit të fortë ndërkombëtar u tërhoq pa arritur asgjë. PD e di shumë mirë se protesta e dhunshme nuk janë zgjidhje por mesa duket qëllimi dhe synimi i kësaj partie është mbajtja e vendit në kaos.



Skip to toolbar