PD vazhdon opozitën me përgjimet e BILD. Bardhi kërkon largimin e Ramës

AKTUALITET


Përgjimet e publikuara nga gazeta gjermane Bild janë kthyer në kryefjalën e opozitës shqiptare. Partia Demokratike i ka rikthyer edhe njëherë në qendër të vëmendjes përgjimet, duke i transmetuar nga selia blu ku sekretari i përgjithshëm Gazmend Bardhi kërkoi sërish largimin e Ramës.

Bardhi gjithashtu tha se BE nuk do të vendosë hapjen e negociatave me Shqipërinë, javën e ardhshme.


“Javën e ardhshme Bashkimi Europian do të vendosë nëse Shqipërisë do t’i hapen apo jo negociatatat për anëtarësim. Fatkeqësisht, çdo media serioze ndërkombëtare, së fundmi, edhe Reuters, EU Observer, Euroactiv kanë të njëjtin motiv, kur citojnë zyrtarë të lartë europianë që refuzojnë nisjen e bisedimeve me vendin tonë : “Shqipëria është një problem i madh dhe nuk është aspak premtuese”.

 Për fat të keq, janë vendet më me ndikim sot në Bashkimin Europian ato që kundërshtojnë hapjen e negociatave për Shqipërinë, për faktin e vetëm se Shqipëria drejtohet nga një qeveri dhe nga një kryeministër, që njihet në të gjithë Europën si kryeministri më i korruptuar, që ka blerë pushtetin në pakt me krimin e organizuar”, tha Bardhi, i cili tha më tej se përgjimet e publikuara nga BILD vërtetuan akuzat e PD-së se Rama e ka marrë pushtetin me vota të blera.

“Përgjimet e publikuara pak ditë më parë në gazetën gjermane Bild, me qarkullimin më të madh në Europë, provuan si plotësisht të vërtetë çdo denoncim të Partisë Demokratike se Edi Rama nuk ka vullnet për të bërë zgjedhje të lira e të ndershme, se Edi Rama, për pushtetin dhe pasurinë e tij personale, bën pakt edhe me djallin. Në përgjimet e gazetës gjermane Bild gjendet arsyeja përse Europa refuzon të pranojë në familjen e vet një vend, ku bandat dhe krimi i organizuar janë zotër të partisë në pushtet, Partisë Socialiste, blejnë vota dhe kërcënojnë kundërshtarët politikë për llogari të kryeministrit Edi Rama”, tha Bardhi, i cili më pas kërko dorëheqjen e Ramës dhe bëri thirrje që shqiptarët të bashkohen në protestën e radhës të opozitës më 21 qershor.




Skip to toolbar