Policia ka dërguar për ndjekje penale Kryetarin e Bashkisë Lezhë, Fran Frrokaj dhe Kryetarin e Bashkisë Mallakastër, Agron Kapllanaj. Të dy bashkiakët janë dërguar për ndjekje penale për shkak të deklaratave nxitëse që kanë bërë në media për pengimin e procesit zgjedhor.
Policia e Lezhës thotë se Frrokaj ka kryer këtë vepër penale në deklaratat e tij publike në media. ‘Ne i kemi bërë të gjitha shkresat dhe do t’i bëj kallëzim çdo personi të paligjshëm që gjendjet në institucionet e paligjshëm. Do mbroj pronat e mia deri në pikën e fundit. Nëse nuk i mbroj, unë kam shkelur ligjin’, ishin fjalët që ka thënë Fran Frrokaj teksa ishte i ftuar në një emision televiziv. Gjithashtu të proceduar penalisht nga policia e Lezhës për vepra penale kundër procesit zgjedhor janë edhe kryetari i FRPD Gjergji Pergjoni 28 vjeç dhe Anton Kola 34 vjeç, anëtar i kryesisë FRPD të dy banues në Mirditë. Kreu i Bashkisë Lezhë, aktualisht është në një tjetër hetim nga prokuroria për tjetërsimin e pronave në zonat bregdetare të Lezhës. Më herët ai është arrestuar, por më pas gjykata ndryshoi masën e sigurisë ndaj bashkiakut.
Pas procedimit penal të Kryetarit të Bashkisë se Lezhës, Fran Frrokoj, nga policia është njoftuar se është dërguar për ndjekje penale edhe kreu i Bashkisë Mallakastër. “Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mallakastër, referuan materialet për vlerësim në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për Kryetarin e Bashkisë Mallakastër për veprën penale ‘Thirrje për veprime të dhunshme’”, deklaroi policia.
Pasi policia vendosi hetim në gjendje të lirë për kreun e Bashkisë Mallakastër, Agron Kapllanaj, ka ardhur edhe reagimi i tij duke e cilësuar procedimin penal si presion politik dhe ka mohuar të ketë bërë thirrje për dhunë apo përplasje fizike. Kapllanaj tha se njeh dekretin e Presidentit dhe se kërkon respektimin e saj edhe nga institucionet.
“Ky veprim i policisë ka ardhur pas emisionit në një media në Tiranë ku unë isha i ftuar. I pyetur në atë emision se si do të veproni për mbrojtjen e ambienteve ku do të vendosen qendrat e votimit, unë si kryebashkiak i jam përgjigjur se do të zbatojë vetëm dekretin e Presidentit të Republikës që anulon zgjedhjet e 30 qershorit. Pra në përmbushje të këtij detyrimi ligjor do të ndërmerren edhe veprimet e mija si kryetar i bashkisë për mos të lejuar shkeljen e dekretit të presidentit për zhvillimin e zgjedhjeve në këtë bashki.
Kurrsesi nuk kam thënë që ne të përplasemi fizikisht me vëllezërit tanë në qendrat e votimit dhe e gjitha kjo është një spekulim. Unë nuk kam deklaruar për përplasje fizike me strukturat e policisë së shtetit por kam thënë se do krijohen përplasje institucionale, pasi jemi në kushtet që kemi një dekret të presidentit që anulon datën e zgjedhjeve dhe një vendim të parlamentit që rrëzon me një rezolutë këtë dekret. Jam thërritur nga policia e shtetit për të lëshuar një deklaratë që në përmbajtje janë çuditur edhe vetë shefat që ma kanë dhënë. Do ti qëndroj deri në fund zbatimit të dekretit të presidentit se nuk ka zgjedhje në 30 qershor” deklaroi Kapllanaj