Kohët e fundit, janë shtuar analistët apo figurat e ndryshme të politikës që thonë se gjithë sjella e çuditshme e presidentit Meta vjen për shkak të frikës nga Reforma në Drejtësi.
Ndërsa dy ditë më herët, ish kreu i SHIK-ut, Fatos Klosi bëri një deklaratë të bujshme dhe zbuloi se në kohën kur ai drejtonte Shërbimin Informativ amerikanët i kishin dorëzuar atij një dosje përvëluese për një kryeministër. Ai nuk tregoi emrin e kryeministrit por nisur nga situata aktuale ne po bëjmë një kontroll të fakteve.
Gjatë mandatit të tij 5-vjeçar në SHIK (1997- gusht 2002), Klosi ka punuar me tre Kryeministra: Fatos Nano, Pandeli Majko dhe Ilir Meta. Të gjithë pyesin lart e poshtë se cili është ai ish-kryeministër për të cilin flet Klosi mes këtyre tre emrave? Dhe përse Klosi e tha pikërisht tani këtë detaj që ka të bëjë me një ngjarje të ndodhur rreth dy dekada më parë? Ai nuk është nga ata tipat e tërhequr që ka refuzuar ftesat e medias. Përkundrazi, mund të ketë dhënë me qindra intervista a prononcime ndër vite, në gazeta apo televizione. Por kurrë nuk i kishte “rrëshqitur këmba”, duke nxjerrë një sekret profesional. Dhe çfarë sekreti, nga ato që përvëlojnë!
Por nga tre kryeministrat me të cilët ka punuar Klosi, nuk është as Fatos Nano dhe as Pandeli Majko që po bëjnë lëmsh vendin me dekrete, zhdekrete apo deklarata mjaft të rënda dhe të çekuilibruara në drejtim të qeverisë. Të gjithë janë të bindur për një gjë në këtë moment dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim: Meta e ka një hall të madh (që nuk janë as zgjedhjet e lira e të ndershme, mbrojtja e Kushtetutës apo paqja sociale dhe uniteti i popullit)
Këtë e kanë kuptuar të gjithë, e thonë hapur, madje në studiot televizive ka nisur të qarkullojë rëndom tema se “Ilir Meta mund të arrestohet”. Po të kishte një dosje që po shqyrtohet në zyrat e prokurorëve shqiptarë, me siguri që do ta kishim marrë vesh të gjithë. Prokuroria historikisht ka qenë si një kullesë makaronash (madje prej aty kanë rrjedhur edhe përgjime apo sekrete hetimore të bujshme). Kështu që ky opsion bie poshtë. A mos kanë ndërkombëtarët një dosje për të? E para gjë që na vjen në mendje është përplasja e ashpër e Ilir Metës me amerikanët dy muajt e fundit. Krisja ishte shfaqur gjatë takimeve me diplomatë amerikanë “pas kuintave” për të dalë në sipërfaqe javët e fundit. Takim tejet i ftohtë me Zëvendësndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit, Mathew Palmer në Prishtinë, më pas përplasjet vazhduan pa frena fare dhe të paprecedenta. Meta ka sulmuar si kurrë më parë ndërkombëtarët dhe veçanërisht amerikanët në daljet e fundit para medias, duke krijuar kështu edhe idenë se mes palëve ka diçka personale…
Këtu lind pyetja, a mos është Ilir Meta, kryeministri i dosjes amerikane për të cilin flet Klosi dhe mbi të gjitha kjo dosje është arsyeja e gjithë kësaj situate politike në vend me dekrete e zhdekrete antikushtetuese, me kaos e molotov?!
Të presim SPAK dhe BKH, me siguri përgjigjen do ta marrim shpejt./Realstory.al