Klosi: Zonat e Mbrojtura, të gjitha në skaner. Mali i Tomorrit, Park Kombëtar

AKTUALITET


Mbrojtja e Malit të Tomorrit dhe shpallja e tij Park Kombëtar do të bëhet shumë shpejt dhe nuk do të lejohen më vendime abuzuese dhe të dhëna për interesa klienteliste për të shkatërruar këtë zonë. Ky ka qenë premtimi që Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi ka dhënë gjatë dëgjesës publike që ai bëri me ekspertë mjedisorë dhe profesorë për shpalljen e Malit të Tomorrit zonë e mbrojtur. Ministri Klosi tha se është nisur puna për skanimin e të gjitha Zonave të Mbrojtura nga veriu në jug, për të kuptuar rëndësinë e vlerave të vërteta mjedisore dhe turistike të zonave të mbrojtura dhe parqeve kombëtare, për të krijuar hartën e parë të zonave më vlera të rralla nga pikëpamja mjedisore, të zonave që duhen shtuar, si dhe të atyre që përjashtuar nga kjo listë.

 “Ne do të ndërmarrim një diskutim të hapur publik me ekspertët e fushës dhe këtë edhe në kuadër të paktit me universitetin, ku ne u jemi drejtuar gjithmonë fakulteteve me të cilët kemi lidhje të drejtpërdrejtë si fakultetin e shkencave të natyrës, si universitetin bujqësor dhe po ashtu fakultetin e mjedisit pranë UT-së. E nisim këtë bisedë të madhe publike për të mbuluar një sezon të tërë të cilin duam t’ia dedikojmë zonave të mbrojtura, për t’i transformuar ato në vlera të historisë së zhvillimit natyror të vendit, por natyrisht edhe në resurse të vërteta të zhvillimit turistik në vend. Dhe nuk ka një zonë më shumë sesa Mali i Tomorrit dhe i gjithë parku që mban mbi vete të gjithë historinë e lashtësisë së Shqipërisë por edhe historinë moderne, historinë e lashtësisë me vlerën që ka mali i Tomorrit me gjithë vlerat që ka si objekt kulti apo i vlerave të trashëgimisë sonë religjioze, por po ashtu me vlerat natyrore që ka ajo zonë dhe çfarë duhet të bëjmë ne që këtë diskutim ta bëjmë sa më të hapur dhe sa më publik”, tha ministri Klosi.


Më 2 gusht Gjykata Administrative vendosi të rrëzojë vendimin e Këshillit të Ministrave për shpalljen e Malit të Tomorrit, Zonë të Mbrojtur dhe Park Kombëtar. Ky vendim solli protestat të banorëve të zonës, madje edhe përplasje të tyre me policinë dhe biznesmenët që shfrytëzojnë malin për gurore. Ministria e Turizmin dhe Mjedisit dënoi ashpër këtë vendim të gjykatës duke e cilësuar abuziv dhe në shërbim klientelist, duke zhvilluar një peticion dhe dëgjesa publike për të mbrojtur malin e Tomorrit dhe dhënien e statusit Park Kombëtar.

Ministri Klosi tha se mbledhja e firmave për peticionin për mbrojtjen e malit të Tomorrit vijon dhe se shumë shpejt do të merret një vendim në Këshillin Kombëtar të Rregullimit të Territorit për të futur Tomorrin në hartën e Parkun Kombëtar. Klosi shtoi se kjo çështje do të ndiqet deri në fund në rrugë ligjore duke apeluar vendimin e gjykatës në organet e drejtësisë.

Ne do të bëjmë një dëgjesë edhe me komunitetin në malin e Tomorrit, do të vazhdojmë mbledhjen e firmave nga të rinjtë e Beratit. Do të marrim një vendim të shpejtë besoj në KKRRT për të miratuar zgjerimin e hartës së parkut kombëtar të Tomorrit, do të miratojmë me vendim qeverie rishpalljen Park Kombëtar zonën e Tomorrit pasi hilet e gjykatave për ta çuar në gjykatë, për të zgjatur me vite e vite në sistemin gjyqësor do ta shkatërronte përfundimisht atë zonë të parikuperueshme. Ne do të vazhdojmë ankimimin gjyqësor për procesin e fundit të gjykatës pasi ai mal nuk do të dëmtohet, ai mal do të mbrohet”, tha ministri Klosi.




Skip to toolbar