“Ismail Kadare shkroi letërsinë e Perëndimit”. Kështu u shpreh analisti Frrok Çupi pasi bëri homazhe për shkrimtarin shqiptar, i cili pritet që të përcillet mesditën e së mërkurës për në banesën e fundit. Në një intervistë për ABC News, analisti tha se Kadare lindi në një kohë kur duhet të lindte një gjeni.
Çupi thotë se ai e përdori kulturën dhe veprën e tij për t’i ndritur faqen kombit. Sipas tij, “ne nuk ndahemi sot me Kadarenë. Për t’u ndarë prej tij duhet të mësohemi dhe të rimësohemi. Na duhet shumëfishi i jetës së Kadaresë që të kuptojmë se jemi ndarë nga Kadare.
“Këto janë nderime format, që duhen kryer gjithmonë por ne sot kemi një ngjarje që e kapërcen kufijtë e një gjëje të zakonshme. Është një gjë për shekuj do të shënohet se ka qenë një ditë e tillë. Ne jemi një brez që kemi nderim të lartë, e kemi jetuar me Kadarenë por edhe kemi pasur një moment për ta respektuar. Respekti për Kadarenë është shumë fakultative. Nuk ka kërkuar kurrë privilegje dhe nderime për veten. Ai bezdisej, është një shans vërtet i madh që ne e kishim Kadarenë. Nuk ishte një njeri i përkëdhelur. Lindi në një kohë kur duhet të lindte një gjeni, funksionoi në një periudhë kur i duhej vendit. E përdori veten, kulturën dhe veprën e tij për t’i ndritur faqen kombit. Duket se sot na mungon një gjë e madhe, rojtari, gardiani i së keqes. Kadare shkroi letërsinë e perëndimit, shkroi me mençurinë dhe kulturën anticensurë dhe me moralin e funksionimit në dobi të kombit të vet. Nëse kishte një gjë që kishte frikë diktatura në Shqipëri ishte Ismail Kadare.”, u shpreh Çupi.