Përgjaket festa në Itali, plagoset rëndë shqiptari, tre të tjerë arrestohen

AKTUALITET


Supozohej të ishte një mbrëmje festive dhe argëtuese por ajo u shndërrua në një luftë të madhe duke lënë pas disa të plagosur. Ngjarja ka ndodhur gjatë natës rreth orës 2, teksa një grup të rinjsh rreth të 20-ve u përleshën me njëri-tjetrin në diskotekën La Grotta di Artegna në provincën e Udine.

Sipas të dhënave, të paktën 10 persona u përfshinë në sherr ndërsa 3 djem janë arrestuar dhe një shqiptar u plagos rëndë.

Sherri nisi fillimisht me fjalë, por më pas nisën goditjet me grushte e shkelma derisa u përdorën edhe shishet e birrës.

Një punëtor 24-vjeçar shqiptar, me banim në Friuli u godit në kokë me një shishe qelqi dhe u transportua në spitalin e San Daniele del Friuli i plagosur rëndë.

Tre persona, një punëtor shqiptar që banon në Tavagnacco, një punonjës 20-vjeçar Nigerian dhe një kuzhinier picash 26-vjeçar gjithashtu me kombësi shqiptare, u arrestuan dhe akuzohen për sherrin, ndërsa dhe ata kanë pasur lëndime.

Pas arrestimit, të rinjtë u mjekuan në spital nga personeli shëndetësor për shkak të dëmtimeve të ndryshme në gjymtyrët e poshtme dhe fytyrë.

Fatmirësisht karabinierët erdhën në kohë dhe parandaluan që ky sherr të kthehej në kasaphanë.



Skip to toolbar