Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social, në lidhje me përgjimet që u publikuan në tabloidin gjerman “Bild”. Fillimisht Tahiri kërkon ndjesë për përdorimin e një fjalori banal teksa bisedonte me shefin e Policisë së Dibrës, Robert Ago. Biseda ishte bërë përmes telefonit të Xhemal Qefalisë, deputet i PS-së, i cili ishte në një darkë me kryeministrin Rama dhe ministrin e Brendshëm në atë kohë Saimir Tahiri. Nga sa kuptohet nga biseda telefonike e përgjuar, Robert Ago i kishte kërkuar Qefalisë, me të cilin kishte raport miqësor, që ta ndihmonte për tu transferuar me detyrë nga Dibra në Bulqizë. Për këtë qëllim zhvillohet edhe biseda mes Agos dhe Tahiri.
Në reagimin e tij, Tahiri thotë se biseda nuk ka lidhje me shitblerjen e votave në zgjedhjet e pjesshme lokale që u mbajtën në Dibër në 2016-ën. Tahiri thotë se nuk ka marrë pjesë në asnjë ditë në fushatën e Dibrës ndërsa hedh akuza për palën kundërshtare kur shprehet: “agresorët e atëhershëm me armë në brez edhe në zgjedhjet e Dibrës, sot kanë veshur lëkurë qengji”.