Ish ministri i Energjisë Damian Gjiknuri e cilëson një komunikim normal brenda një shtabi elektoral bisedat telefonike të publikuara nga gazeta gjermane Bild.
Në një reagim në mediat sociale, Gjiknuri shkruan se në bisedat e tij nuk ka asnjë veprim që bie ndesh me ligjin apo shkon përtej komunikimit normal organizativ.
Ndërsa disa artikuj bazuar në këto përgjime,Gjiknuri i cilëson deduksion të qëllimshëm politik, dhe komente të pavërteta në raport me atë çka thuhet me zë.
Më tej Gjiknuri ngre pikëpyetjen se si ka mundësi që prokuroria në atë kohë ka vënë në përgjim gjithë shtabin elektoral të PS-së?
Reagimi i plotë i Damian Gjiknurit:
“Referuar publikimeve të fundit në media rreth procesit zgjedhor në Bashkinë e Peshkopisë në vitin 2016, me synim transparencën dhe hedhjen poshtë të spekulimeve të qëllimshme sqaroj se për periudhën për të cilën bëhet fjalë kam mbajtur funksionin e drejtuesit politik të PS në Qarkun Dibër. Në bisedat e mia telefonike të publikuara audio në gjuhën shqipe, nuk ka asnjë veprim që bie ndesh me ligjin apo shkon përtej komunikimit normal organizativ mes shtabit elektoral në një fushatë. Çdo pretendim tjetër është deduksion politik i qëllimshëm, madje edhe transkriptim dhe koment i pavërtetë në raport me atë çka thuhet me zë prej meje apo asaj çka përfaqësojnë bashkëbiseduesit. Natyrisht, ky spekulim bëhet qëllimshëm për të njollosur fitoren e merituar të kandidatit të Partisë Socialiste dhe punën organizative të të gjithë koordinatorëve elektoral ashtu dhe timen si drejtues politik. Duke qenë se çështja është në hetim nga prokuroria nuk është normale që unë të flas me detaje për këtë proces. Mbështes dhe inkurajoj prokurorinë të hetojë çdo element, pretendim apo qoftë dhe indicie për veprimtarinë e kujtdo përfaqësuesi të Partisë Socialiste të angazhuar në këtë proces zgjedhor. Gjithashtu, publiku duhet të dijë se si ka mundësi që Prokuroria e Krimeve të Rënda në atë kohë, ka përfshirë në përgjim të gjithë shtabin elektoral të PS me vetëm një kallëzim nga subjekti kundërshtar Partia Demokratike, madje e ka regjistruar hetimin për korrupsion dhe jo për shitblerje votash!?”