Përplasja mes agjentëve të BKH dhe njerëzve të Agron Kapllanajt, arrestohen tre persona

Më të fundit


Pas incidentit të ndodhur mbrëmë në Fier me agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Operacionales, policia arreston tre persona. Mësohet se në pranga janë vënë Ledjan Kapllanaj, Klaudjo Kapllanaj dhe Gerald Kollçaku. Ndërkohë vijojnë veprimet hetimore edhe për personat e tjerë e përfshirë në ngjarje.

Çfarë ndodhi një natë më parë?

Incidenti ndodhi mbrëmjen e të martës në Fier.  Disa persona, mes tyre edhe njerëz të afërt të ish-kryebashkiakut të Mallakastrës Agron Kapllanaj, u shoqëruan në policinë e Fierit, pasi kanë kundërshtuar agjentë të BKH-së dhe ata të Operacionales. Agjentët kanë qenë me shërbim dhe kanë ngritur edhe një dron në hyrje të qytetit të Fierit që ka shkuar pranë disa bizneseve. Pas përplasjes, agjentët bënë kallëzim duke thënë se janë sulmuar për shkak të detyrës.

Agron Kapllanaj është një ndër themeluesit e partisë “Djathtas 1912” me kryetar Enkelejd Alibeaj.

Çfarë thotë Policia?

Policia në Fier doli me një deklaratë zyrtare për ngjarjen, duke thënë se shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, së bashku me hetuesit e BKH-së kanë qenë me shërbim në qarkun e Fierit, kur edhe u regjistrua incidenti.

“Rreth orës 19:20, të mbrëmjes së sotme, në aksin rrugor Fier – Patos, shërbimet operacionale të Policisë dhe hetuesit e BKH-së janë goditur për shkak të detyrës nga disa persona, të cilët janë identifikuar dhe shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier për veprimeve të mëtejshme. Të gjitha veprimet hetimore e procedurale janë duke u kryer nga Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier”, bën me dije policia.

Çfarë thotë Kapllanaj?

Vetë Agron Kapllanaj thotë se incidenti ka ndodhur pranë zyrave të subjektit të tij politik dhe ka dhënë versionin e tij të ngjarjes.

Në një bisedë telefonike ish-kryebashkiaku i Mallakastrës ka pohuar se në parkimin e zyrave të subjektit politik që ai përfaqëson ka shkuar një mjet i pa loguar rreth orës 18:00 dhe prej andej ka ngritur një dron. Ky veprim sipas tij është kryer dhe në një kohë të dytë dhe ka ngjallur dyshime të zyrtarëve që ishin brenda godinës.

“Kur ka shkuar roja i objektit për të kërkuar shpjegime se përse po ngrenë dronin nga parkimi i zyrave të tyre një prej agjentëve i ka thënë se ‘po kërkojnë të blejnë një pronë’, ndërsa më pas e ka ofenduar me fjalë të rënda”, pretendon Kapllanaj.

Pas debatit agjentët janë larguar me mjetin e tyre dhe janë ndjekur nga disa zyrtarë të subjektit politik dhe dy të afërm të Agron Kapllanajt. Më tej Kapllanaj sqaron se pak minuta më vonë kanë arritur që ti ndalojnë dhe aty ka nisur një përplasje e dytë mes agjentëve të BKH dhe njerëzve të Kapllanajt.

Por sipas këtij te fundit në asnjë moment nuk u është thënë që janë agjent të BKH. Siç pohoi ai të afërmve të tij u është nxjerr dhe armë në formë kërcënimi dhe vetëm pas këtij momenti u është thënë që kanë të bëjnë me agjentë të BKH.

Në këtë moment kanë mbërritur edhe forcat e policisë dhe kanë ulur gjakrat, ku kanë bërë shoqërimin e dy nipërve të Kapllanajt dhe zyrtarit të subjektit politik.



Skip to toolbar