Kryeministri Edi Rama ka reaguar në twitter pas deklaratës së presidentit Meta për rikthimin e vizave. Rama këshillon Metën që të mos shqetësohet se nuk ka asnjë shans që të rikthehen vizat për Shqipërinë, por të shqetësohet për vizën që i vuri vetes si kryetar i shtetit.
Rama shkruan se Meta u bë palë e frontit kundër zgjedhjeve dhe drejtësisë.
“Ilir Meta mos shqetësohet për rikthimin e vizave (vizat nuk ka asnjë shans të rikthehen) po të shqetësohet për vizën qe i ka vënë figurës së kreut të shtetit, duke u bërë pjesë e frontit politik kundër zgjedhjeve dhe kundër drejtësisë! Ky front kundër Shqipërisë do dështojë. Me turp!”, shkruan Rama.
Më herët Ilir Meta sulmoi qeverinë për vizat, duke i bërë thirrje që të marrë masa, pasi rrezikohet rikthimi i vizave. Kreu i Shtetit e ka bazuar thirrjen e tij në deklaratën e Avramopoulos të hënën për DW, kur tha se BE mund të ndërmarrë hapa, po u shtuan kërkesat për azil. Por Presidenti Meta e ka cilësuar rrezik për Shqipërinë këtë deklaratë, pavarësisht se komisioneri për migrim thoshte po vetë në atë prononcim se aktualisht kërkesat janë në nivel të ulët.
“Pas depozitimit të kërkesës së Holandës për pezullimin e vizave drejtuar Komisionit Europian, njoftimi i djeshëm i Komisionerit për Migrim, Punët e Brendshme dhe Shtetësi, z. Dimitris Avramopoulos që paralajmëronte ndërmarrjen e masave ndaj Shqipërisë, krahas Venezuelës dhe Kolumbisë, është një kambanë alarmi për të gjithë”, thotë Presidenti, duke u bërë thirrje të gjitha institucioneve shtetërore përgjegjëse të ndjekin me prioritet absolut këtë çështje që mbart një ndjeshmëri të madhe për të gjithë qytetarët shqiptarë.
Por kryeministri Rama e hedh poshtë këtë rrezik duke thënë se nuk ka asnjë shans për rikthimin e vizave.