Përplasja te Astiri, Mazniku: Bllokimi i rrugës, për siguri

AKTUALITET


Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, deklaroi në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24, se banorët e Astirit me yshtje politike kanë dhunuar punonjësit e policisë dhe të IKMT. I pyetur nga gazetari Balla se pse ishte bllokuar totalisht zona, duke krijuar kaos në lëvizje edhe për qytetarët e tjerë, Mazniku tha se është bërë për të siguruar jetën e tyre, pasi pritej që aty të kishte konflikt.

“Siç ishte paralajmëruar dhe siç ndodhi nga pjesa e banorëve të zonës të yshtur në mënyrë politike pati ushtrim dhune ndaj policisë. Janë goditur policët, janë kundërshtuar forcat e IKMT. Për të siguruar sigurinë e qytetarëve, për të mos u futur në një zonë që mund të kishte probleme konfliktuale, u bllokua zona. Kërcejnë gurë. Siguria e njerëzve, përfshirë dhe kalimtarët, është prevalente, më e rëndësishme se komoditeti për të kaluar në atë orë aty”, deklaroi Mazniku.

Sipas tij, kjo situatë e ndodhur në zonën e Unazës së Re, nuk është një situatë normale, pasi që në fillim ka pasur një drejtim të caktuar politik, ndërkohë që solli në vëmendje edhe rastin e dhunimit të një punonjësi nga banorët disa ditë më herët. “Isha vetëm pak ditë më parë në spital për të vizituar një punonjës të IKMT, i kishin thyer dorën, kishte godite në kokë, ai ishte dëmtuar më shumë se të tjerët. Nuk kemi të bëjmë me një situatë normale. Me yshtje politike kemi pasur dhunë, në mënyrë të organizuar. Ne rastin konkret kemi pasur një situatë të mbizakontë, për vetë faktin se është kthyer dhe në një situatë të debatit politik”, deklaroi Mazniku.



Skip to toolbar