Presidenti i socialistëve europianë (PES) Sergei Stanishev i ka dërguar një letër Presidentit të Këshillit të Europës Donald Tusk përmes të cilës kërkon hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duke theksuar se të dy shtetet i kanë përmbushur kushtet dhe tani i përket BE-së që të mbajë fjalën e dhënë.
“Ne duhet të shkojmë në të njëjtën drejtim, megjithëse me një ritëm të ndryshëm, në vend që të mënjanojmë vendet deri në një ‘kohë të duhur’, e cila duket se nuk do të vijë kurrë ose kurrë nuk do të jetë e përshtatshme për të gjithë. Të mos pranojmë arritjet e të dy vendeve, së bashku me politikën tonë të Zgjerimit dhe angazhimet do të ishte një gabim i rëndë strategjik.
Nëse BE-ja nuk i respekton angazhimet e saj tani, ky zhgënjim do të cenojë besimin. Ne nuk mund të lejojmë ringjalljen e nacionalizmit për të minuar përpjekjet drejt paqes dhe pajtimit në këtë rajon ende të brishtë të demokracive të reja, ku plagët e së kaluarës ende nuk janë shëruar plotësisht.
Ne nuk duhet të dështojmë. Këtë ia kemi borxh jo vetëm popujve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe të gjithë qytetarëve të BE-së, të cilët presin veprim vendimtar dhe udhëheqje të përgjegjshme, dhe jo vetëm ‘sinjale’”, shkruhet në letrën që Stanishev i ka dërguar Donald Tusk.
Vendimi për çeljen ose jo të negociatave pritet të merret në samitin e dy ditëve të ardhshme të liderëve te BE-së.