Muçi i Metës, shtëpi dhe makinë nga të dënuar

AKTUALITET


Anëtari më i ri i Gjykatës Kushtetuese Besnik Muçi doli të mërkurën para Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, pasi Komisioneri Publik, apeloi vendimin e KPK-së, me arsyetimin se nuk justifikonte pasurinë.

KPA ka kërkuar nga DSIK, deklasifikimin e një materiali sekret shtetëror lidhur me blerjen e një apartamenti dhe një makine. Informacioni shtesë ka të bëjë me apartamentin e tij, pasi pronari nga i cili e ka blerë, është dënuar për moskallëzim krimi.


Po ashtu, Muçi makinën e ka blerë nga person që ka qenë i proceduar për drejtim të makinës në gjendje të dehur dhe kundërsthim të forcave të Policisë. Për këto dy fakte, Muçi thotë se lidhja me personat në fjalë është vetëm kontraktuale dhe asgjë më shumë.

“Paraqitja për informacion të ardhur pas fazës së parë, është sensitiv dhe i prekshëm. Për opinionin publik dhe padyshim edhe për mua. Gjatë seancave të kaluara, opinionit publik i kemi dhënë një gjysmë të vërtetë, pa i treguar përmbajtjen e informacionit të deklasifikuar tashmë nga DSIK.

Por dua të sqaroj opinioni publik kush janë personat dhe me çfarë akuzohen. I pari është administratori i kompanisë, i dënuar për moskallëzim krimi, personi që mua më ka shitur apartamentin mua. Unë nuk kam fakte për situatën. Personi tjetër i lidhur, është shtetas që unë i kam blerë një mjet. Ai është proceduar dy herë nga Prokuroria. Është dërguar në gjyq për drejtim në gjendje të dehur të mjetit dhe kundërshtim të punonjësit të policisë.

E kisha të vështirë ta gjeja veten në këto fakte të KPA dhe shkakun që unë lidhem me ata persona, pasi lidhja ime me ta është vetëm kontraktuale dhe asgjë më tepër”, tha Muçi. Me tej, Muçi është shprehur se këmbëngulja e KP për ta përdorur si provë nuk ka asnjë vlerë për procesin në fjalë.

 “Opinioni publik është helmuar me këtë informacion gjysmë të vërtetë përgjatë kësaj kohe, deri në momentin kur u deklasifikua dokumenti. Këmbëngulja e Komisionerit Publik për ta përdorur si provë nuk ka asnjë vlerë për procesin në fjalë”, deklaroi Besnik Muçi gjatë seancës në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Komisioneri Publik ka paraqitur para KPA materialin dhe argumentet pse është parë e nevojshme të kërkohet që ai të përdoret. “Në shqyrtim dhe vlerësim në tërësi të përmbajtjes së informacionit të DSIK e cila në thelb përmban dokumentacion të përcjellë nga Drejtoria Gjyqësore e Prokurorisë së Përgjithshme për personat e tjerë të lidhur me subjektin e rivlerësimit, rrethanat dhe faktet e paraqitura në të, në vështrim të nenit 4, pika 2 e ligjit nr. 84/2016, mund të shërbejnë në vlerësimin tërësor të çështjes dhe procedurave rivlerësuese për subjektin e rivlerësimit.

Konstatojmë se personat e tjerë të lidhur me subjektin, të proceduar penalisht për veprat penale të përmendura në këtë informacion, nuk përmbushin kriteret për t’u cilësuar si persona të përfshirë në krimin e organizuar e për rrjedhojë, të ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejt e të vetme, në vlerësimin e kriterit të figurës për subjektin e rivlerësimit, sipas kushteve dhe kritereve të përcaktuara në nenin DH te Kushtetutës.

Por Komisioneri Publik çmon se ky informacion, në konsideratë të raportit dhe të marrëdhënieve të pranuara nga vetë subjekti i rivlerësimit, gjatë hetimit administrativ të Komisionit, sikurse ëtshë nga rrethanat e dala nga vlerësimi i kriterit të kontrollit të pasurisë, që rezulton i proceduar penalisht, shtetasi A.I, sikurse deklaron edhe ne deklaratën Vetting detyrues ndaj këtij shtetasi në vlerën 21 000 euro, mund të shërbejë si rrethanë dhe argument se subjekti i rivlerësimit mund të vihet lehtësisht nen presionin e strukturave kriminale në referim”, ka qenë argumenti i Komisionerit Publik.




Skip to toolbar