I burgosuri Fran Marashi është transferuar në regjimin e posaçëm “41-bis” në burgun e Peqinit për një periudhë 1-vjeçare, niveli më i rreptë i sigurisë në institucionet e vuajtjes së dënimit. Kjo ka ardhur me vendim të ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, pas shkeljeve të përsëritura disiplinore nga viti 2011 deri më sot, të lidhura me futjen dhe përdorimin e sendeve të ndaluara në institucion.
Gjithashtu gjatë periudhës së vuajtjes së dënimit, Fran Marashi është dënuar tre herë për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe dy herë për veprën penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e vuajtjes së dënimit”, duke paraqitur rrezikshmëri të lartë për arratisje dhe për sigurinë e brendshme të institucionit.
Fran Marashi është një nga autorët e masakrës së Kuçovës në vitin 1997, ku u vranë 5 efektivë brenda një mjeti të blinduar, ndërsa 6 të tjerë mbetën të plagosur. Ai ishte pjesë e bandës së Urës Vajgurore, të cilët goditën me predhë antitank autoblindat e policëve që po shkonin në Berat.
Për këtë masakër, Marashi është dënuar me burgim të përjetshëm që në janar 2000 për një seri veprash penale të rënda, përfshirë vrasje të efektivëve dhe pjesëmarrje në banda të armatosura, konkretisht:
– Pjesëmarrje në banda të armatosura
– Vrasje me dashje të punonjësit të policisë (katër raste)
– Vrasje me dashje të punonjësit të policisë, mbetur në tentativë (dy raste)
– Vrasje me dashje
– Heqje e paligjshme e lirisë
Regjimi “41-bis” është një masë e përdorur për të izoluar individë që përbëjnë rrezikshmëri të lartë dhe që kanë kryer krime të rënda, për të ruajtur sigurinë e institucioneve dhe për të parandaluar veprimtarinë kriminale brenda tyre.