Një 59-vjecar ka mbetur i plagosur në qendër të qytetit të Durrësit, por brenda pak minutash, policia rrugore, e cila ndodhej pranë vendit të ngjarjes, ka vënë në pranga autorin. Ngjarja e rëndë ka ndodhur të mërkurën në lagjen nr. 12 të qytetit bregdetar, ku M.P. 19 vjeç, banues në Durrës, ka plagosur me një mjet prerës (thikë) shtetasin Q. Xh., 59 vjeç, banues në Durrës.
Policia Rrugore që ishte me shërbim në atë zonë është vënë menjëherë në ndjekje të autorit të dyshuar ku brenda një kohe të shkurtër bënë të mundur kapjen e tij. Ky arrestim i policisë rrugore është i rrallë, pasi në të shumtën e rasteve, efektivët rrugorë kanë kryer vetëm arrestime për përdorim të mjetit nën efektin e alkoolit, ose me dokumentacion të parregullt dhe fals. Janë të rralla rastet kur policia rrugore ndërhyn për të arrestuar persona me rrezikshmëri, siç mund të cilësohet edhe 19-vjeçari i vënë në pranga të mërkurën në Durrës për plagosje me thikë. Specialistët për Hetimin e Krimeve në bashkëpunim me Prokurorinë po punojnë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.