Po tentonte vrasjen e radhës, kapet vrasësi që tronditi Shkodrën


Policia e Shtetit njoftoi të mërkurën se ka parandaluar një vrasje në Tiranë dhe ka vënë në pranga shtetasin Sadetin Erkoçeviq, 28 vjeç, banues në Shkodër, i dënuar më parë për një vrasje në një tallava në Shkodër në vitin 2014, për të cilën ishte shpallur në kërkim.

Sipas policisë personi i arrestuar paraqiste rrezikshmëri të lartë ndërsa arrestimi i tij është bërë falë denoncimit të qytetarëve të cilët kanë parë lëvizje të dyshimta të 28-vjeçarit i cili kur u kap nga policia kishte me vete dhe një armë të mbushur me plumba.


“Në zbatim të planit tëmasave për kapjen e personave në kërkim, evidentimin dhe kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 në Tiranë, falë marrjes së informacionit nga qytetarët dhe bashkëpunimit mes strukturave të DVP Tiranë e DVP Shkodër, është bërë i mundur parandalimi i një vrasjeje. Një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore,  i dënuar për vrasje dyshohejse do të kryente një krim të rëndë në Tiranë.

Mbrëmë rreth orës 20:50 është marrë njoftimi nga ana e shërbimeve të Seksionit të Hetimit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2 Tiranë së në rrugën “Bilal Xhaferi”, ndodhej një person i cili bënte lëvizje të dyshimta dhe dyshohej se kishte armë zjarri me vete.

Policia ka organizuar punën duke bërë lokalizimin e menjëhershëm të personit të dyshuar.

Shërbimet e Policisë kanë mbajtur nën kontroll personin duke bërë të mundur që me metoda të shpejta proaktive në bashkëpunim me DVP Tiranë dhe Shkodër të identifikonin personin e dyshuar, person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Shërbimet policore kanë ndërhyrë menjëherë duke e neutralizuar dhe shoqëruar në komisariatin e Policisë Nr. 2, shtetasin Sadetin Erkoçeviq, 28 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër.

Këtij shtetasi në momentin e kontrollit i është gjetur në çantën e dorës një armë zjarri pistolete e tipit Bereta, me 14 fishekë dhe një fishek në fole gati për qitje”, njofton policia e shtetit.

Erkoçeviq ka qenë i dënuar më parë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër me 20 vite burg për veprat penale “Vrasje me dashje” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje te armeve e municioneve luftarake”.

Erkoçeviq është një emër i njohur për policinë dhe i shpallur në listën e 31 më të kërkuarve në Shkodër. Ai akuzohet për vrasje me dashje në vitin 2014.

Në atë kohë, pas një sherri për një balerinë në një lokal me muzikë live i riu ka vrarë me armë zjarri shtetasin Indrit Ylli dhe ka plagosur shtetasin Jetmir Molla.

Në lokalin “Enigma”, në fshatin Zus, në Shkodër, kishte shkuar i ndjeri Indrit Ylli se bashku me kushëririn e tij, Ervin Ylli, dhe një shokun e tij, Fabian Hoxha. Në këtë lokal, më pas ka shkuar edhe shtetasi Jetmir Beqiri (Mollaj), së bashku me shokun e tij, Altin Haxhi. Shtetasi Jetmir Beqiri (Molla) është kushëri me të ndjerin Indrit Ylli dhe me shtetasin Ervin Ylli.

Ata janë takuar në lokal dhe kanë shkëmbyer pije me njëri-tjetrin. Në një moment, rreth orës 24.00, i ndjeri Indrit Ylli është çuar së bashku me Jetmirin dhe shokun e tyre Fabian dhe kanë filluar të kërcejnë në mes të lokalit.

I ndjeri Indrit është afruar te tavolina, ku qëndronte Elion (Esmeraldo) Hato, së bashku me shokët e tij dhe ka marre nga tavolina e tyre një balerinë për të kërcyer me të. Në këtë moment, mes të ndjerit Indrit Ylli dhe shtetasit Sadetin Erkoçeviq (Lisi), i njohur me emrin “Timi”, ka filluar një debat lidhur me balerinën, debat që ka përfunduar në përdorimin e armëve.

Policia njofton se vetëm gjatë muajit korrik dhe gjysmën e parë të muajit gusht falë bashkëpunimit me qytetarët janë kapur 38 persona që qarkullojnë me armë zjarri, si dhe janë sekuestruar mbi 60 armë zjarri të kalibrave të ndryshëm dhe municion luftarak.

Nga 275 operacione të koduara të zhvilluara nga strukturat e Policisë së Shtetit gjatë këtij 8 mujori, 123 prej tyre janë si rezultat i bashkëpunimit me komunitetin.

Policia e Shtetit fton qytetarët që të bashkëpunojnë akoma më shumë me Policinë, të mbështesin Policinë, të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në numrin pa pagesë 112, në Komisariatin Dixhital, duke garantuar anonimatin dhe një reagim të shpejtë e të paanshëm!




Skip to toolbar