“Plazhi i lirë”, policia sekuestron qindra çadra e shezlongë në Durrës e Sarandë

AKTUALITET


Policia e Shtetit vijon operacionin policor të koduar “Plazh i lirë”, me qëllim lirimin e hapësirave në plazhe, që janë zënë në kundërshtim me ligjin. Kjo fazë e operacionit u shtri në plazhet e Durrësit dhe të Sarandës dhe rezultoi me sekuestrimin e 106 shezlongëve dhe 123 çadrave që ishin vënë pa autorizim. Për rastet u proceduan penalisht 2 administratorët që nuk deklaronin të ardhurat që gjeneronin nga ky aktivitet.

Në plazhin “Apollonia”, në Durrës, u sekuestruan 106 shezlongë dhe 53 çadra që ishin vënë pa autorizim. Për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin M. M., 31 vjeç, banues në Durrës.

Në plazhin e Çentralit, në Sarandë, u sekuestruan 70 çadra që ishin vënë pa autorizim. Për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin J. Ç., 24 vjeç , banues në Sarandë.

Materialet procedurale i kaluan prokurorive përkatëse, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Pushtimi i tokës” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Policia thotë se kontrollet dhe verifikimet në kuadër të koperacionit “Plazh i lirë”, vijojnë.



Skip to toolbar