Plotësohet kushti i Bashës, Gjiknuri ofron largimin nga “zgjedhorja”

AKTUALITET


Deputeti socialist Damian Gjiknuri u tregua i gatshëm të plotësojë kushtin e Bashës, për t’u larguar nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore nëse PD vjen në komision, ndërsa tha se është hera e parë në politikën shqiptare që kushtëzohet një interlokutor.

Gjithsesi, Gjiknuri theksoi se e rëndësishme është që PD të marrë pjesë në Komision me të drejtën e vetos, privilegj që maxhoranca ia ka dhënë edhe pa qenë në parlament.

“Jam i gatshëm të rishikoj pozicionin tim në komisionin parlamentar të reformës zgjedhore, si bashkëkryetar, me kusht që PD të njohë komisionin. Problemet janë më të thella. Kriza politike si po e thonë edhe partnerët është krijuar për shkak të frikës ë opozitës për të marrë pjesë. Kushti i vetëm për mua është që të jenë pjesë e Reformës Zgjedhore. Kanë të drejtën e Vetos edhe pa qenë në parlament. Lidhur me këtë kemi marrë kritika edhe nga opozita jo parlamentare”, u shpreh Gjiknuri.

Deputeti socialist tha gjithashtu se kriza politike në vend ka ardhur pikërisht për shkak të frikës së opozitës për të marrë pjesë në tryezën politike.

Largimi i Gjiknurit nga drejtimi i Komisionit parlamentar për Reformën Zgjedhore ishte një kusht i artikuluar nga Lulzim Basha menjëherë pas ftesës që Rama i bëri opozitës joparlamentare për t’u ulur në dialog për Reformën Zgjedhore. 

Kryeministri Edi Rama u drejtoi të mërkurën një ftesë të hapur publike krerëve të të gjitha partive të opozitës jo parlamentare, përmes të cilës i ftonte për t’u ulur në dialog pa kushte për Reformën Zgjedhore. Lideri demokrat Lulzim Basha iu përgjigj kësaj ftese duke thënë se më parë duhet të zgjidhim krizën politike. Por gjatë mbrëmjes së të mërkurës, erdhi dhe ultimatumi amerikan. Mathew Palmer, i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor i bëri thirrje opozitës që të ulet me mazhorancën dhe të dialogojnë për të realizuar reformën zgjedhore. Pritet që PD të ketë një tjetër reagim pas deklaratës së Palmer./realstory.al



Skip to toolbar