Sherri për pronat ka shkaktuar një masakër në Klos, duke u marrë jetën tre vetave, ku vëllai ka vrarë vëllain dhe nipin e më pas veten. Ngjarja shokuese ka ndodhur në fshatin Xibër, ku konflikti mendohet se ka nisur mes dy vëllezërve gjatë ndërtimit të një gardhi për të ndarë tokën, përplasje që sot ka degjeneruar në përdorimin e armëve.
Policia tha se viktimat janë nga familja Dakuci dhe krimi i rëndë është njoftuar rreth orës 14:24 të së martës, kur Sali Dakuci është zënë me vëllain e tij Kujtim Dakuci pranë një gardhi me tre drurë që ndante tokat e tyre. Pas këtij konflikti, Saliu ka marrë kallashnikovin, ka shkuar në derën e shtëpisë së Kujtimit dhe aty e ka qëlluar me breshëri plumbash. Sapo ka dëgjuar krismat, djali i vetëm i Kujtimit, Flogreti ka shkuar me vrap për t’i dhënë ndihmën e parë të atit, por xhaxhai e ka qëlluar edhe atë me breshëri plumbash. Duke i lënë të dy në grahmat e fundit të jetës, Kujtimi ka shkuar në shtëpinë e tij, ku brenda pak çastesh ka vrarë veten me të njëjtën armë që vrau vëllain dhe nipin. Familjarët, me britma vaji kanë tentuar të nisin me urgjencë për në spital babë e bir, por ata kanë mbërritur të vdekur.
Policia, e mbërritur në vendin e ngjarjes, ka marrë në pyetje familjarët e viktimave për të mësuar më shumë mes krimit të trefishtë, të cilat janë vetëm gra e vajza, pasi në dy familjet Dakuci tashmë ka mbetur gjallë vetëm djali i autorit të krimit, i cili ndodhet në Itali.
Sipas të dhënave nga grupi hetimor, të dy vëllezërit prej vitesh ishin në konflikt me njëri-tjetrin për çështje pronësie. Madje ata nuk flisnin me njëri-tjetrin edhe pse ishin fare pranë edhe me banesa. Por të martën ky sherr i zgjatur përfundoi në masakër duke marrë 3 jetë njerëzish. Megjithatë, policia tha se mes tyre nuk ka pasur konflikte të ashpra, që të dyshoje se mund të shkonin drejt një krim makabër. Realstory.al