“Po patët këllqe futemi në zgjedhje në pranverë”. Gjoni kritikohet në seancë

AKTUALITET


Deputeti opozitar Ralf Gjoni kërkoi ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe zgjedhje të parakohshme në pranverë. Në fjalën e mbajtur në Kuvend Gjoni sfidoi maxhorancën të cilës i bëri thirrje të mos hezitojë por të miratojë një sistemin të ri zgjedhor dhe në pranverë vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, ndërsa theksoi dhe njëherë se opozita parlamentare nuk do të pranojë që të votojë reformën zgjedhore në dy faza, por vetëm një që të përfshijë edhe ndryshimin e sistemit.

“Mazhoranca po telekomandon votën e deputetëve opozitarë. Për herë të parë po flitet për sistemin zgjedhor pas shumë vitesh. Ata që dolën jashtë janë në sintoni me shumicën nuk duan ndryshimin sistemi dhe nuk njohin deputetët e opozitës. Nuk ka reformë me dy faza, hajde ta bëjmë brenda dhjetorit dhe të bëjmë depolitizimin e komisionerëve. Të hapim edhe listat nëse ju keni vullnet dhe nëse keni këllqe të futeni në zgjedhje që këtë pranverë po të doni dhe ne do të jemi gati të përfaqësohemi në ato zgjedhje”, tha Gjoni.

Ndërkohë që drejtuesja e seancës, Vasilika Hysi i tërhoqi vëmendjen për gjuhën. “Ju tërheq vëmendjen për gjuhën jo etike. Nëse flisni për etikë duhet të respektoni i pari etikën”.

Ndërsa Taulant Balla i dha kohë opozitës parlamentare dhe asaj jashtëparlamentare deri në Krishtlindje për miratimin e reformës zgjedhore në parlament.

“I bëj thirrje deputetëve të opozitës është në detyrën tonë historike që ne të vijojmë punën për realizimin e detyrave të shtëpisë, se hapeshin apo jo negociatat me 18 tetor, ne kemi padyshim detyra shtëpie që duhet t’i realizojmë dhe mendoj që instrumenti i vënë në dispozicion nga Bundestagu është udhërrëfysi ynë më i mirë, duhet ta përmbyllim kodin zgjedhor deri në Krishtlindje se padyshim që deri në pranverën e ardhshme edhe ata që janë kundër vijimit të procesit të zgjerimit do kenë ndryshuar mendje se gabimi strategjik duhet korrigjuar menjëherë”, tha Balla.



Skip to toolbar