Çfarë paralajmëroi Olldashi 6 vjet më parë

AKTUALITET


Shtatë nëntori i 2013-ës do të ishte seanca e fundit plenare për ish-ministrin e ndjerë të Transporteve, Sokol Olldashin.

Pak ditë më pas ai ndërroi jetë nga një aksident automobilistik në rrugën Tiranë – Elbasan. Në këtë fjalim shfaqen qëndrimet e hapura të tij ndaj situatës politike në vend, ndërsa PD vinte pas humbjes së  zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare në 23 qershor dhe koalicioni i majtë PS-LSI, ishte në muajin e dytë të qeverisjes.


Fjalimi i Olldashit 6 vite më parë, do të marrë kontekstin historik në të ardhmen të perceptimit të pushtetit, politikës dhe raportit të tyre me zgjedhësit shqiptarë. Por, fjalimi i Olldashit kishte edhe një paralajmërim të fortë, ndërsa theksonte se “Më vonë filluam të paguajmë komisionerët, më pas filluam të paguajmë makinat për t’i sjellë njerëzit të votojnë, më pas filluam të paguajmë grupet e margjinalizuara për t’u marë votat. Akoma më pas, e çuam përtej. Pse të lodhemi dhe të paguajmë makina, zgjedhës që të vijnë dhe të votojnë, komisionerë?!?!?! Më mirë i biem drejt, paguajmë zgjedhës në një proces që nuk është më zgjedhor, por një treg kërkesë-ofertë për blerje votash me shumicë dhe pakicë.

Paguajmë zgjedhësit direkt dhe kjo është “demokracia direkte”! Por kjo nuk është demokracia direkte e vullnetit të njerëzve, por është “demokracia direkte” e xhepave. Por kjo, nuk është demokracia për të cilën kanë nevojë shqiptarët. E çuam më pas më tutje, ndonëse ne të gjithë bëjmë sikur e harrojmë këtë gjë. E çuam edhe te tregtimi i deputetëve. E nisi Nano në parlamentin e 2001, e vazhduam ne, kur do zgjidhnim presidentin në 2007. Dhe bëjmë prapë sikur nuk e shikojmë dhe nuk e dimë këtë gjë.”

Fjalimi i plotë i Sokol Olldashit në 2013:

E vërteta e Korçës, siç është jo siç na pëlqen ( fjala e mbajtur sot në parlament). Nuk hyj tek deputetët e vjetër të këtij Parlamenti, por, gjithsesi, m’u bë një periudhë kohe prej 12 vjetësh tashmë këtu dhe, kurrë, nuk e kam ndjerë veten më keq sesa sot, në këtë seancë. Është një seancë e pështirë, e turpshme!

Është një seancë ne të cilën, në qoftë se do të kemi grimcën me të vogël të përgjegjësisë, duhet të ndërpresim kalendarin e ditës dhe të merremi thelbësisht me këtë çështje. Ajo që ka ndodhur në Korçë, gjej rastin të falenderoj median që e transmetoi, është vërtet shumë e rëndë. Por, nuk është vetëm kaq!

Problemi është shumë më i madh sesa 20.000 lekë që iu dhanë studentëve në Korçë! Problemi është kthyer në sistem dhe, në qoftë se ne duam të merremi seriozisht me të, duhet të kuptojmë dhe pranojmë atë çka realisht po ndodh.

Reagimi ynë, pas asaj që u pa në Korçë, është i pritshëm, është normal. Ne jemi opozitë dhe nuk mund të pranojmë që të shikojmë enturazhin e pushtetit me para në dorë duke blerë vota.

Nëqoftëse nuk bëjmë këtë reagim, ne nuk e meritojmë fare të jemi këtu. Detyra jonë është pikërisht kjo.

Por a mbaron detyra jonë këtu?! Dhe a mbaron detyra juaj tek mbrojtja?!E prisja edhe reagimin e

Partisë Socialiste që do të gjente një articialitet për të dalë nga kjo situatë, duke thënë që po paguanin autobuzin. Por, nga ana tjetër dua t’i drejtohem shumë deputetëve, të djathtë dhe të majtë, gjithëkujt që ka një grimcë përgjegjshmërie – ka plot njerëz për të cilët kam konsiderata pozitive njerëzore, pavarësisht se nuk i besoj apo pranoj aresyetimin apo vokacionin e tyre politik – a do të merremi ne me ketë problem? Apo do të bëjmë sikur nuk shikojmë?

Kjo që po ndodh është e tmerrshme! Nëse kthehemi mbrapa, në vitin 1991 dhe 1992, kur janë bërë

zgjedhjet e para pluraliste në këtë vend, nuk është paguar askush, nuk është harxhuar asnjë qindarkë e vetme, as nga kandidatët as nga komisionerët! Askush nuk ka paguar askënd. Pse? Sepse njerëzit

kishin një zemër, kishin një moral dhe kishin një shpirt. Vinin dhe e bënin gjithçka me dëshirë. Si tanët, si tuajt.

Çfarë ndodhi më vonë? Më vonë filluam të paguajmë komisionerët, më pas filluam të paguajmë makinat për t’i sjellë njerëzit të votojnë, më pas filluam të paguajmë grupet e margjinalizuara për t’u marrë votat.

Akoma më pas, e çuam përtej. Pse të lodhemi dhe të paguajmë makina, zgjedhës që të vijnë dhe të votojnë, komisionerë?!?!?! Më mirë i biem drejt, paguajmë zgjedhës në një proces që nuk është më zgjedhor, por një treg kërkesë-ofertë për blerje votash me shumicë dhe pakicë.

Paguajmë zgjedhësit direkt dhe kjo është “demokracia direkte”! Por kjo nuk është demokracia direkte e vullnetit të njerëzve, por është “demokracia direkte” e xhepave. Por kjo, nuk është demokracia për të cilën kanë nevojë shqiptarët. E çuam më pas më tutje, ndonëse ne të gjithë bëjmë sikur e harrojmë këtë gjë. E çuam edhe te tregtimi i deputeteve. E nisi Nano në parlamentin e 2001, e vazhduam ne, kur do zgjidhnim presidentin në 2007. Dhe bëjmë prapë sikur nuk e shikojmë dhe nuk e dimë këtë gjë.

E nisi Nano, e prefeksionoi LSI-ja por, për hir të së vërtetës, jo vetëm LSI. Edhe parti të tjera, të vogla, në koalicion me ju apo në koalicion me ne. Edhe ne të PD-se bëmë sikur s’e pamë.

Dhe vijmë sot, në Korçë. Por, përpara Korçes kemi qenë në 23 qershor. Nuk ka pasur gjë më të turpshme, gjë më të fëlliqur sesa fushata e 23 qershorit. Shkonim nëpër zonat elektorale dhe u thonim zgjedhësve: “kemi bërë këto punë, kemi këtë projekt”. Dhe përgjigjia që na vinte ishte: “ky ka dhënë 20; ky ka premtuar 30; ky tjetri 50. Sa jep ti?”

Ne u detyrohemi një ndjesë dhe një përgjigje qytetareve shqiptare. Dhe, në qoftë se duam seriozisht te merremi me këtë problem, duhet të fillojmë të merremi që sot. Nuk mund te fusim thjesht kokën në rërë si struci dhe thjesht të themi që fajin e ka PS-ja. Sigurisht që ju e keni fajin për atë që keni bërë në Korçe! Pa asnjë dyshim! Jeni përgjegjës moralisht, politikisht dhe ligjërisht! Përpara njerëzve dhe ligjit.

Por, faj kemi sigurisht edhe ne qe kemi bërë sikur s’e kemi parë këtë fenomen kur e bënin partitë në koalicion me ne. Ne tetë vjet, ne e futëm Shqipërinë në NATO, hoqëm vizat, ndërtuam 1300 shkolla, 10 mijë kilometra rrugë dhe 799 ujësjellës. Po pse humbëm?!

Sepse ne nuk e pamë, apo bëmë sikur nuk e pamë dy vjet e kusur me parë. Ndërsa ju e patë atë emision, madje edhe e “hëngrët” ne 1 prill. Kemi vërtet vullnet dhe dëshire për t’u marrë me këtë çështje??

Shpresoj që po! Por, nëse duam vërtet të merremi me këtë çështje dhe t’u japim një përgjigje shqiptareve, duhet të ndajmë mendjen që në këtë parlament disa do të vazhdojnë të jenë deputetë, ndërsa të tjerë duhet të lenë karriget.

Nuk mundet që në këtë sallë të parlamentit të bashkëjetojnë të patrazuar, deputetët dhe blerësit. Kjo sallë ka vend për një kategori; ose për deputetët, ose për blerësit. Të dyja palët këtu, bashke, nuk mund të rrinë dot. Duhet te merremi dhe duhet të fillojmë që sot!/TEMA




Skip to toolbar