Lajmi se Shqipëria është vendi i parë në botë që ka një ministre të Inteligjencës Artificiale, ka bërë jehonë në mediat e huaja.
“Shqipëria është bërë vendi i parë në botë që ka një ministre të Inteligjencës Artificiale — jo një ministre për Inteligjencën Artificiale, por një ministre virtuale të krijuar nga pikselë dhe kod dhe të mundësuar nga inteligjenca artificiale.”- shkruan Politico.eu në një artikull dedikuar kabinetit të ri qeveritar.
Emri i saj është Diella, që në shqip do të thotë diell, dhe ajo do të jetë përgjegjëse për të gjitha prokurimet publike, tha të enjten kryeministri Edi Rama.
Gjatë verës, Rama tha se një ditë vendi mund të kishte një ministre dixhitale dhe madje edhe një kryeministër të Inteligjencës Artificiale, por pak vetë mendonin se kjo ditë do të vinte kaq shpejt, vijon më tej artikulli.
Në Asamblenë e Partisë Socialiste në Tiranë të enjten, ku Rama njoftoi se cilët ministra do të largoheshin dhe cilët do të qëndronin për një mandat tjetër, ai prezantoi edhe Diellën, anëtaren e vetme jo-njerëzore të qeverisë.
“Diella është anëtarja e parë që nuk është e pranishme fizikisht, por është krijuar virtualisht nga inteligjenca artificiale”, u tha ai anëtarëve të partisë.
Rama deklaroi se vendimet për tenderët do të vendosen në duart e Diellës, e cila është “shërbëtore e prokurimit publik”. Ai tha se procesi do të jetë “hap pas hapi”, por Shqipëria do të jetë një vend ku tenderët publikë janë “100 për qind të pakorruptueshëm dhe ku çdo fondi publik që kalon nëpër procedurën e tenderit është 100 për qind i lexueshëm”.
Shkrimi thekson se ky hap vjen në një kohë kur Shqipëria prej kohësh lufton me korrupsionin, veçanërisht në administratën publike dhe në fushën e prokurimeve, çështje e theksuar vazhdimisht edhe nga Bashkimi Evropian në raportet e tij.
Kryeministri Rama, i cili fitoi mandatin e katërt historik në maj 2025, me ambicien për anëtarësimin në BE deri në vitin 2030, duket se po hedh një hap të rëndësishëm drejt modernizimit dhe transparencës së qeverisjes përmes teknologjisë.


