Prokuroria shpall në kërkim Kajmakun

AKTUALITET


Prokuroria ka firmosur urdhër-arrestin për kryebashkiakun e shkarkuar të Vorës, Agim Kajmaku. Ai akuzohet për tre vepra penale, shpërdorim detyre, falsifikim të formularit të dekriminalizimit dhe kryerjen e detyrës edhe pas shkarkimit. Kjo për faktin se Kajmaku megjithëse ishte shkarkuar nga KQZ, firmosi shkarkimin nga detyra të dy nënkryetarëve të Bashkisë së Vorës, në kundërshtim të hapur me ligjin. Lajmi konfirmohet nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës e cila njofton gjithashtu se Agrim Kamjaku është shpallur në kërkim me masë sigurimi “arrest me burg”.

Menjëherë pasi prokuroria ka firmosur urdhër arrestin, policia ka shkuar në banesën e Kajmakut, ditën e diel, por nuk e kanë gjetur në shtëpi. Edhe gjatë të hënës efektivët blu kanë shkuar në banesë për të arrestuar ish-kryebashkiakun e Vorës që e kap ligji i dekriminalizimit, por as të hënën nuk është gjendur në banesën e tij.

Policia është në kërkim të ish kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku.

Ish kryebashkiaku i Vorës, Kajmaku u shkarkua më herët nga Komisioni Qëndror Zgjedhor pasi Prokuroria vërtetoi se Agim Kajmaku ka qenë i arrestuar në Greqi ku ka përdorur emrin Jorgo Toto. Por këtë fakt Kajmaku e ka fshehur dhe nuk e ka shkruar në formularin e vetëdeklarimit duke rrezikuar dënimin me burg.

Më herët Prokuroria e Përgjithshme faktoi përmes letërporosisë së mbërritur nga Athina se Jorgo Toto dhe Agim Kajmaku ishin i njëjti person dhe për këtë i kërkoi KQZ-së t’i hiqte mandatin.  Sipas këtij dokumenti, Agim Kajmaku me identitetin Jorgo Toto ka qenë i ndjekur penalisht në Greqi për akuzën e vënies në qarkullim të parave të falsifikuara.



Skip to toolbar