Policia e Tiranës ka shpëtuar një 26-vjeçare nga trafikimi në Francë për prostitucion, duke vënë në pranga tre personat, mes të cilëve edhe një punonjëse e policisë kufitare.
Zbulimi i rastit dhe arrestimet janë kryer gjatë operacionit të koduar “Tranzit”. Sipas të dhënave zyrtare në pranga kanë përfunduar fillimisht A. K.,29 vjeç, nga Elbasani, i dënuar më parë për shitje droge dhe A. Ç., 26 vjeç, nga Librazhdi. Këta të dy kanë tentuar të kalojnë nëpërmjet Rinasit vajzën 26-vjeçare, me qëllim që ta çojnë në Francë për ta shfrytëzuar si prostitutë. Sipas skemës së zbuluar, vajzën e re do ta priste në Francë shtetasi K. B., 33 vjeç, i cili është shpallur në kërkim dhe të dhënat i tij i janë dërguar edhe policisë franceze. Por gjatë hetimeve për këtë grup, antitrafiqet kanë zbuluar se ata bashkëpunonin edhe me punonjësen e policisë F. K., 30 vjeçe, me detyrë kontrollore pranë Komisariatit të Policisë Kufitare Rinas Tiranë. Ajo dyshohet se me veprimet e saj kundrejt ryshfetit ka ndihmuar dhe lehtësuar procedurat e kalimit deri në zonën tranzit të Rinasit për 26-vjeçaren.