Policia ka shoqëruar të mërkurën në mbrëmje ish-deputetin e PD, Bardh Spahia, i cili ishte shpallur në kërkim për dhunën e ushtruar në KZAZ-të e Shkodrës, ndërkohë që pas njoftimit për shoqërimin e tij, ka reaguar kreu i opozitës Lulzim Basha, duke e cilësuar arrestim të paligjshëm, megjithëse më herët, PD e Shkodrës kishte deklaruar se Spahia nuk ishte në kërkim policor.
“Kriminelët e zgjedhjeve po i shesin moral popullit në studiot televizive. Bardh Spahia arrestohet pse protestoi kundër krimeve të tyre. Ne nuk do të ndalemi derisa ta shporrim këtë bandë dhe kreun e saj!”, reagoi Basha pak pas mesnatës së të mërkurës.
Ndërkaq, duke marrë shkas nga arrestimi, PD e Shkodrës ka paralajmëruar për trazira gjatë vizitës së planifikuar të kryeministrit në qytetin verior të enjten.
Kryetari i PD-së në Shkodër, Xhevdet Amuli ka akuzuar kryeministrin Rama dhe ministrin Lleshaj se arrestimi i ish-deputetit Bardh Spahia është politik, ndërsa bëri thirrje për lirimin e tij, pasi kjo situatë po çon vendin në kaos dhe luftë civile.
“Arrestimi është politik, që kanë realizuar edhe etërit e tyre. Shkodra nuk nënshtrohet nga arrestimet partiake. Të ndalohen një minutë e më parë arrestimet, pasi po e çon vendin në kaos dhe luftë civile në këto zgjedhje që mendon që t’i mbajë. Drejtuesit e policisë së Shkodrës nuk kanë asgjë në dorë, pasi ndryshe flasin dhe ndryshe veprojë. Çdo gjë është në dorë të kryeministrit dhe ministrit Lleshaj. Bardh Spahinë e kanë akuzuar për problemet në Shkodër, por Lleshaj ka ndryshuar mendje dhe e kanë mbajtur atje për arsye sigurie. Sipas ministrit është person i rrezikshëm. Ardhja e Ramës në Shkodër e nxit akoma më shumë këtë protestë” tha ai.
Ndërsa Kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi u shpreh para drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku u shoqërua ish-deputeti Bradh Spahia, se Shkodra i ka hapur luftë kryemafiozit Edi Rama. “Sot qytetarët e Shkodrës, njerëzit e ndershëm i kanë hapur luftë kryemafiozit Edi Rama dhe kupolës qeverisëse të këtij vendi. I kane hapur lufte kriminelëve që sundojnë qytetin e Shkodrës dhe Shqipërinë. Përfaqësuesit e qytetarëve ata që protestojnë në emër të të drejtave të njeriut dhe kundër dhunuesve, arrestohen. Qytetarët e Shkodrës nuk kanë për ta lejuar kurrë këtë. Ata do të bashkohen për të parandaluar një regjim diktatorial të mafias dhe të krimit të instalohet në Shqipëri. Bashkia Shkodër jemi në pozicionim legjitim për të jetuar dhe për të qenë të lirë në këtë vend. Qyteti i Shkodrës nuk mund të lejojë që një sistem monist të instalohet”, tha ajo.
Veç Spahisë, në Shkodër janë ndaluar edhe 5 punonjës të Bashkisë. Mes 14 personave të shpallur në kërkim janë edhe ish-deputetë të zonës, anëtarë të Këshillit bashkiak si dhe punonjës të Bashkisë Shkodër pas djegies së KZAZ-së.