Presidenca, Ballës: Halli yt është projektligji tjetër që do të kthejmë

POLITIKË


Presidenca ka paralajmëruar kthimin në Kuvend për rishqyrtim të një tjetër ligji ditën e mërkurë. Pas kthimit të ligjit për ndryshimet në Kodin Penal të martën, ku presidenti Meta vlerësoi tentativat pozitive të ligjit, por kërkoi përmirësim të disa neneve për të shmangur keqinterpretimet e tyre në zbatim, duket se nga sirtari i Presidentit do të dalë në tjetër ligji (nuk dihet ende se cili) që nuk do të dekretohet.

Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi, i cili i është përgjigjur njëkohësisht edhe reagimit të Sekretarit të Përgjithshëm të PS, Taulant Balla.

Balla pas rikthimit të ligji për Kodin Penal nga Meta, e cilësoi atë si “President në detyrë” duke paralajmëruar se ai nuk mund t’i pengojë ato, por në shtator secila prej ndryshimeve të kontestuara do të hyjë në fuqi.  

Në reagimin e tij Blushi tha se deklaratat kërcënuese të “Tao Taove” nuk e trembin aspak Presidentin, i cili vijon pushimet e tij malore,”por e frymëzojnë atë të ngjitet edhe më lartë”. Blushi thekson se në fakt halli kryesor i “Tao Taove” nuk është ky projektligj, por projektligji tjetër që është kthyer dhe që do publikohet nesër (të mërkurën). Në deklaratën e tij, Blushi thekson se në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, i takon Presidentit të shqyrtojë me rigorozitet maksimal çdo ligj.

Që t’i dhimbsen policët Tao Taos, kjo është një shaka që përmbys së qeshuri të gjithë pushuesit në plazh, të cilët e dinë veprimtarinë e tij plot bëma kundër ligjit dhe në shërbim të të fortëve. Presidenti i ka vlerësuar qëllimet pozitive të ligjit në parim, por i ka rikthyer ndryshimet e propozuara në Kodin Penal për t’u bërë përmirësimet e domosdoshme për zbatim efikas. Në kushtet kur Tao Tao drejton opozitën në Parlament dhe kur Tao Taot kanë bllokuar prej dy vitesh Gjykatën Kushtetuese, është detyrë e Presidentit të shqyrtojë me rigorozitet maksimal çdo ligj, me qëllim përmirësimin e tyre si në rastin konkret.

Por halli kryesor i Tao Taove nuk është ky projektligj, por projektligji tjetër që është kthyer dhe që do publikohet nesër. Pakica që nuk njeh rotacion, jo vetëm që nuk ia prish pushimet malore Presidentit me kërcënimet e saj të lodhura, por e frymëzon për të ngjitur maja më të larta në ditët që vijnë.

Ndërsa për sa i takon shtatorit, Presidenti është besimplotë se do ta gjejë në Majën më të lartë, atë të Korabit.” – shkruan Blushi



Skip to toolbar