Balla optimist për negociatat: Pas 31 janarit konsensus të plotë për Shqipërinë

POLITIKË


Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha se metodologjia e vlerësimit nga ana e Komisionit Europian mund të ndryshojë dhe se pas datës 31 janar do të ketë një konsensus të plotë mes 27 vendeve anëtare të BE për hapjen e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Do doja të ndaja me ju faktin se metodologjia e vlerësimit nga partnerët tanë mund të ndryshojë, më 29 janar KE do të publikojë metodologjinë e re të vlerësimit dhe të monitorimit të zbatimit të detyrave të shtëpisë nga vendet kandidate, në kuadër të vlerësimit qoftë të ecurisë së procesit të para hapjes së negociatave, qoftë me procesin tjetër që pason, dhe ku unë jam besimplotë se gjatë këtij viti Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të nisin bisedimet. Paralelisht me dakordësimin e vendeve anëtare për metodologjinë e re të ndryshuar, KE i qëndron rekomandimit se bisedimet për anëtarësim duhen çelur sa më parë me Shqipërinë edhe me Maqedoninë e Veriut. Rekomandimi për hapjen e bisedimeve për anëtarësim mbetet një konstante e pandryshuar për Komisionin Europian. Besoj se brenda 27 vendeve të BE-se pas 31 janarit, të ketë një konsensus të plotë lidhur me bisedimet për anëtarësim”, tha Balla në Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian.


Balla foli dhe për fenomenin e emigrimit të shqiptarëve, duke e cilësuar shqetësuese, ku qeveria duhet të punojë në hartimin e politikave të mirëfillta për uljen e saj. Duke e cilësuar si një lajm të rremë faktin se sot po emigrojnë më shumë se 10 vite më parë, Balla tha se ky është një faktor konstant për vendin dhe nuk mund të ndalet, por mund të punojmë në drejtim të dekurajimit sa të mundemi të arsyeve të emigrimit.

Dua të flas mbi nevojën për të shkurajuar lajmin e rremë apo batakut (“fake news”) që shqiptarët po largohen më shumë sot se 5 apo 10 vjet me parë. Raportimet dhe studimet mbi trendet demografike për vendin tonë në raport me rajonin e Ballkanit janë më optimiste sesa lajmi i rremë. Nëse analizojmë fenomenin e emigrimit, ky i fundit është një faktor konstant për vendin tone, për rajonin e Ballkanit Perëndimor por edhe më gjerë për sa kohë dallimet në të ardhurat për frymë dhe standardit të jetesës midis vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të Europës Perëndimore do të vazhdojnë të jenë në këto nivele, njerëzit do të kenë arsye për të emigruar. Prandaj është e qartë që flukset migratore për vendet tona do vazhdojnë të jenë një realitet i pandashëm, por ajo që duhet të punojmë të gjithë së bashku është që të dekurajojmë aq sa mundemi arsyet e migrimit. Për këtë qëllim qeveria dhe të gjithë aktorët duhet të punojnë me hartimin dhe zbatimin e politikave të mirëfillta për të ndalur uljen drastike demografike të popullsisë si një emergjencë kombëtare që mund të zbusë efektet që mund të ketë nesër në ekonomi një fakt i tillë“, tha Balla.




Skip to toolbar