Pas vendimit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që shkarkoi Besnik Muçin nga posti i anëtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe njëkohësisht e nxorri atë jashtë sistemit të drejtësisë, ka reaguar Presidenca. Megjithëse presidenca e cilëson të turpshëm këtë vendim, presidenca e njeh “vettingun” ndaj Muçit dhe shkarkimin e tij, ndryshe nga vetë anëtari i Kushtetueses që thotë se do të vazhdojë të qëndrojë në detyrë.
“ZERO SURPRIZË nga vettingu i Partisë. Pas dështimit të rrëmbimit flagrant të Gjykatës Kushtetuese, rikthehet skenari për bllokimin e këtij institucioni nga të njëjtët aktorë që e bllokuan për tre vjet. TURP! TURP! TURP!”, shkruhet në reagimin e Presidencës. Pra në këtë deklaratë konfirmohet se shkarkimi i Muçit do të sjellë bllokimin e Kushtetueses.
Ndërsa Besnik Muçi tha për gazetarët se nuk e pranon vendimin e Kolegjit të Apelimit për shkarkimin e tij duke thënë se nuk e liron zyrën në Gjykatën Kushtetuese. Sipas Muçit në momentin kur është betuar tek Presidenti si anëtar i Gjykatës Kushtetuese, mandati i tij si prokuror ka përfunduar dhe ky vendim i vettingut nuk i shtrin kompetencat tek anëtarët e Kushtetueses.
“Vendimi i sot nuk mund ti shtrijë kompetencat mbi anëtarët e zgjedhur në anëtarët e Kushtetueses. Në momentin që kam bërë betimin e kam humbur statusin e prokurorit. Jam anëtarë i Kushtetueses. Kolegji i Apelimit nuk ka pasur të drejtë. Në momentin që ka përfunduar statusi im, unë nuk jam subjekt pasi ata nuk kanë kompetenca. E thotë qartë Kushtetuesja”, tha Muçi para mediave.
Kujtojmë se shumica e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese u shkarkuan nga vettingu çka solli situatën në të cilën kjo Gjykatë mbeti e bllokuar pasi kishte mungesë gjyqtarësh. Pra vettingu i ka shtrirë dhe më herët kompetencat dhe vendimet e tij edhe tek anëtarët e Kushtetueses, ndryshe nga sa thotë Muçi.