PS për Muçin: Shejtani të lirojë zyrën

POLITIKË


Kryetari i grupit Parlamentar i PS, Taulant Balla tha se vendimi i KPA për shkarkimin e Besnik Muçit është një vendim kushtetues, që vetëm zbatohet dhe jo të diskutohet e aq më tepër të vihet në diskutim zbatimi i saj. Pas shkarkimit, Besnik Muçi tha se nuk do të lirojë zyrën e tij në Gjykatën Kushtetuese, pasi atë e ka dekretuar Presidenti Meta. Balla tha se Gjykata Kushtetuese më mirë të rrijë më 4 anëtarë se sa me “shejtanin” brenda dhe se askush nuk mund të rrijë në detyrë në kundërshtim flagrant me Kushtetutën.

“Vendimet e komisionit të vlerësimit janë të autoriteteve kushtetuese dhe nuk mund të kenë asnjë lloj atakim politik. Nuk komentoj vendimet e drejtësisë, ato janë të zbatueshme. Të gjithë e dinë se qasja e legjislativit ndaj vendimeve fundore të vettingut. Kjo është qesharake. Vendimet nuk diskutohen vetëm se zbatohen. Ajo që kemi thënë është që institucionet e reja të drejtësisë, Kushtetuesja apo e Larta duhet të kenë në përbërje personalitete të drejtësisë që nuk kanë asnjë mangësi në pastërtinë e figurës dhe aftësinë profesionale. Më mirë një gjykatë Kushtetuese me katër anëtarë sesa me shejtanin brenda. Askush nuk mund të rrijë në detyrë në kundërshtim flagrant me Kushtetutën. Presidenti ka krijuar një konflikt kronik për të penguar reformën në drejtësi. Presidenti të reflektojë dhe ta kthejë në shina” tha Balla.


Taulant Balla paralajmëroi se mazhoranca do t’i drejtohet Komisionit të Venecias për Kushtetuesen, ashtu siç rekomandoi më herët ambasada e SHBA dhe ambasadori italian Cutillo.

“Ne si Kuvend në ditët në vijim duhet të marrim hapat për shtimin e mekanizmave zhbllokues sa herë që një individ apo institucion ndërmerr hapa për të penguar reformën në drejtësi” deklaroi Balla.




Skip to toolbar