Presidencialet/ Robert F. Kennedy Jr. kandidati i pavarur që mund të ndryshojë zgjedhjet në SHBA

BOTA


Një kandidat i pavarur që nuk ka përvojë politike, por një emër shumë i njohur, ka hyrë në garë si i pavarur me pak shanse për të fituar Shtëpinë e Bardhë dhe ka siguruar një fare mbështetjeje nga amerikanët që janë të pakënaqur me kandidatët që pritet të emërojnë dy partitë e mëdha.

Robert F. Kennedy Jr., 70 vjeç, është i biri i ish-senatorit të Nju Jorkut dhe ish-prokurorit të përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara dhe nipi i ish-Presidentit John F. Kennedy. Ai është një avokat mjedisi dhe ndoshta i njohur më së tepërmi për teoritë e tij konspirative lidhur me vaksinat.


Analistët thonë se ka pak të ngjarë që zoti Kennedy të fitojë presidencën. Por në një garë që mund të përcaktohet nga disa mijë vota në një numër shtetesh të lëkundura, ashtu si ka ndodhur në dy zgjedhjet e fundit presidenciale, zoti Kennedy mund të arrijë të tërheqë vota të mjaftueshme për të penguar fitoren e një prej kandidatëve që mund të udhëheqin garën.

“Konteksti është ky: Kandidatët e dy partive të mëdha, Donald Trump dhe Presidenti Joe Biden në të vërtetë nuk kanë shumë mbështetje”, thotë për Zërin e Amerikës Chris Jackson, zëvendës president në agjencinë e anketimeve të opinionit publik Ipsos.

“Mbështetja për Joe Bidenin është jo më shumë se 40% dhe sa i përket Donald Trumpit, sipas niveleve të mbështjetjes që po shohim, shifrat priret të jenë tek 30%. RFK Jr. është në thelb emri që mund të mbështesin ata që nuk pëlqejnë asnjë prej të dyve, për t’i dhënë zë pakënaqësisë që kanë ndaj dy kandidatëve”, shprehet zoti Jackson.

Sipas një ankete të publikuar këtë javë nga gazeta “The Wall Street Journal”, zoti Kennedy duket se ka mbështjetje domethënëse nga votuesit në një sërë shtetesh kyçe që ka të ngjarë të përcaktojnë presidentin e ardhshëm.

Në Nevada, 15% e votuesve thanë se do të votonin zotin Kennedy, njësoj si 13% e votuesve në Arizona, 12% në Miçigan dhe 10% në Karolinën e Veriut dhe Viskonsin. Zoti Kennedy rezultoi se ishte më pak i mbështetur nga votuesit në Xhorxhia dhe Pensilvani, respektivisht me përkrahje 8% dhe 7%.

Vështirësia tani është të përcaktohet se cilit kandidat po i merr më shumë vota zoti Kennedy. Anketimi i “The Wall Street Journal” duket se sugjeron se ai po tërheq votat e të dy kandidatëve, por pak më shumë nga zoti Trump.

Në anketim, votuesve iu kërkua të zgjidhnin nga një listë kandidatësh që nuk përfshinte zotin Kennedy dhe më pas nga një listë ku figuronte edhe emri i tij. Në 5 nga 7 shtetet kyçe ku u zhvillua anketimi, zoti Trump humbi një përqindje më të lartë të votuesish që zgjodhën zotin Kennedy, nga sa humbi zoti Biden. Por në shumicën e rasteve, diferenca ishte rreth 1%, brenda kufirit të gabimit të anketimeve.

Gjithsesi, disa anketime të realizuara më parë sugjeorjnë se zoti Kennedy po i merrte më shumë vota zotit Biden sa sa zotit Trump dhe shumë anketime të tjera të njohura vazhdojnë të sugjerojnë se ky është skenari më i mundshëm.

Më shumë të dhëna nga anketime e tjera të pritshme

Drew McCoy, president i organizatës Decision Desk HQ, e cila përpunon të dhëna mbi zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara thotë se po bëhet përherë e më e qartë se zoti Kennedy, që prej shumë njerëzve shihej si një kandidat i parëndësishëm kur njoftoi vitin e kaluar se do të garonte për Shtëpinë e Bardhë, mund të luajë një rol domethënës në rezultatin e zgjedhjeve.

“Agjencitë e anketimeve po ndërgjegjësohen se përfshirja e zotit Kennedy në sondazh do të jetë më e domosdoshme nga sa mund të dukej tre apo katër muaj më parë. Pra, mendoj se do të shohim më shumë të dhëna,” tha zoti McCoy për Zërin e Amerikës.

Kjo nuk do të thotë se zoti Kennedy ka të ngjarë të fitojë presidencën, apo edhe ndonjë shtet të caktuar, shtoi ai. “Ajo që pritet të shohin njerëzit me kujdes është ndikimi i tij në disa prej këtyre shteteve ku gara është e ngushtë, e shteteve kyçe. Aftësia e tij për të tërhequr vota dhe se si do jetë mbështetja e tij përballë kandidatëve të tjerë, kjo do të jetë vërtet interesante për t’u parë”.

Shifrat e votave për zotin Kennedy mund të ndryshojnë ndërsa votuesit e njohin më shumë dhe njihen më tepër me qëndrimet e tij politike.

“Vetë zoti Kennedy nuk e ka përcaktuar qartë se cilat janë qëndrimet e tij. Në thelb ai është dikush me një emër të famshëm në një garë zgjedhore ku shumë njerëz nuk pëlqejnë kandidatët e dy partive të mëdha”, thotë për Zërin e Amerikës, Kyle Kondik, nga Qendra për Politika në Unviersitetin e Virxhinias.

Zoti Kondik vuri në dukje se historikisht, kandidatët që nuk janë nga partitë kryesore, priret të kenë rezultate më të dobëta se sa sugjerojnë anketimet. Ndërsa votuesit marrin në konsideratë rezultatin e zgjedhjeve, mbështetja për një kandidat të tretë, ka tendencën të zbehet.

“Një pjesë e kësajj mbështetjeje do të zbehet ndërsa njerëzit do të përqëndrohen në kandidatët që mund të fitojnë realisht zgjedhjet”, tha ai.

Një të shkuar shumë të njohur

I lindur në një prej familjeve më të njohura politike në Shtetet e Bashkuara, zoti Kennedy ishte 14 vjeç kur i ati iu vra ndërsa garonte për të fituar emërimin e Partisë Demokrate në 1968, një garë që kishte të ngjarë ta fitonte. 5 vjetë më vonë, xhaxhai i zotit Kennedy po ashu u vra.

Rinia e zotit Kennedy u shenjua nga abuzimi me drogën. Pasi u përjashtua dy herë nga shkolla për shkak të abuzimit me drogën kur ishte adoleshent, ai arriti të diplomohej nga universiteti i Harvardit, Universiteti Ekonomik i Londrës dhe Fakulteti i Drejtësisë i Universitetit të Virxhinias.

Ai punoi për pak kohë si ndihmës prokuror i qarkut Manhattan në fillim të viteve 1980, por dha dorëheqjen në 1983 pasi rezultoi pozitiv në një test të Shtetit të Nju Jorkut për përdorimin e drogës. Në të njëjtin vit ai u arrestua nën akuzat për mbajtje heroine.

Në vitet pas arrestimit të tij, zoti Kennedy krijoi një identitet të ri për veten, duke u bërë një avokat i njohur dhe aktivist për çështjet e mjedisit i lidhur me organizatën Riverkeeper e përkushtuar për të pastruar lumin e ndotur të Nju Jorkut, Hudson. Në dekadat që pasuan, ai arriti sukses të konsiderueshëm si avokat dhe mbrojtës për çështjet mjedisore, duke fituar disa çështje gjyqësore të njohura kundër korporatave të mëdha.

Në fillim të viteve 2000 emri i zotit Kennedy u lidh gjithnjë e më shumë me një lëvizje në rritje të amerikanëve që besojnë se shumë vaksina të zakonshme që u jepen fëmijëve të vegjël shkaktojnë një sërë problemesh shëndetësore dhe probleme të tjera, përfshirë autizmin.

Qëndrimi i tij kundër vaksinës u bë më i theksuar gjatë pandemisë COVID-19, kur ai vazhdimisht u bë burim informacioni të pasaktë dhe një kritik i shpeshtë i autoriteteve të shëndetit publik.

Në vitet e fundit, zoti Kennedy ka përhapur një sërë teorish të tjera konspirative, duke folur shpesh për ato që i quan grupe të errëta sipërmarrësish dhe miliarderësh që sipas tij drejtojnë larg syve të publikut, politikën e Shteteve të Bashkuara. Që në moshën 40 vjeçare, zoti Kennedy vuan nga një sëmundje që çon në çrregullim të laringut dhe shkakton dridhje të zërit. /Marrë nga VOA




Skip to toolbar