Gjykata e Lartë e Brazilit ka hapur një hetim mbi komentet e bëra nga presidenti, Jair Bolsonaro duke pretenduar gabimisht se vaksinat COVID-19 mund të rrisin mundësinë e kontraktimit të SIDA-s.
Komentet e bëra gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë në media sociale – Facebook dhe YouTube i ndaluan menjëherë fjalimin presidentit, sipas politikave të tyre të lajmeve të rreme.
Bolsonaro shpesh ka hedhur dyshime mbi efektivitetin e vaksinave, raporton bbc. Ai tashmë po përballet me një hetim të veçantë për trajtimin e pandemisë.
Presidenti brazilian, i cili ka refuzuar të vaksinohet, ka mbrojtur komentet duke thënë se thjesht po citonte një artikull të një reviste.
Bolsonaro është nën presion të madh muajt e fundit dhe është përballur me një sërë krizash politike që kanë dëmtuar popullaritetin e tij.
Kujtojmë se një panel i posaçëm hetimor i Senatit mbështeti një raport që bën thirrje për ngritjen e akuzave kundër presidentit, duke përfshirë krime kundër njerëzimit. Bolsonaro ka pohuar se ai nuk është “fajtor absolutisht për asgjë”.
Ndryshe, numri i vdekjeve në Brazil shkaku i kronavirusit është i dyti më i lartë në botë, pas Shteteve të Bashkuara. Më shumë se 615 mijë njerëz kanë vdekur dhe 22.1 milionë janë infektuar me virusin, megjithëse ekziston frika se shifrat e vërteta janë shumë më të larta.