Pas krizës politike në Austri, Karl Nehammer pritet të jetë kancelari i ri

BOTA


Pas 24 orësh trazirash politike, Partia Popullore në pushtet e Austrisë ka zgjedhur Ministrin e Brendshëm Karl Nehammer për të marrë detyrën si kreun e partisë dhe vendit.

Nehammer do të jetë zgjedhja e tretë e partisë për kancelarin brenda disa javësh, pasi Sebastian Kurz u largua nga pushteti në tetor.


Turbulencat politike në Austri duket se tashmë janë qetësuar. Partia në pushtet ÖVP u godit rëndë të enjten në mëngjes kur lideri i saj, Sebastian Kurz, njoftoi dorëheqjen nga të gjitha postet politike.

Ky vendim nuk e goditi vetëm partinë më të madhe në Austri, por edhe qeverinë, të cilën Kurz e udhëhiqte deri në muajin tetor. Për shkak të një skandali për korrupsion, Kurz u detyrua të lirojë postin e kancelarit, e më pas edhe të funksioneve të tjera në politikë.

Partia Popullore e Austrisë të premten e emëroi kryetar partie dhe kandidat për kancelar ministrin e deritashëm të Punëve të Brendshme, Karl Nehammer. “Dëshiroj të njoftoj se sot jam emëruar në mënyrë të njëzëshme nga kryesia e Partisë Popullore si kryetar partie dhe njëkohësisht kandidat për kancelar”, tha Nehammer para gazetarëve.

Me ardhjen e Karl Nehammer kancelar, partia në pushtet do të riorganizojë edhe kabinetin qeveritar. Disa emra të rinj do të zëvendësojnë ministrat e larguar, kurse disa të tjerë do të kthehen në postet e kaluara. Një gjë e tillë nuk do të ndodhë me ministrat e partnerit qeveritar, nga Partia e Gjelbër.




Skip to toolbar