Problemet nga moti i keq, efektivët e FA në ndihmë të qytetarëve

AKTUALITET


Reshjet e borës krijuan probleme në mjaft akse rrugore në vend, gjatë natës së të shtunës dhe mëngjesin e së dielës.

Rruga Milot – Lezhë, ku ka patur borë shoqëruar me erëra shumë të forta, ka qenë edhe në vëmendje të institucioneve. Ministria e Mbrojtjes bëri me dije se aksi tashmë është i kalushëm përvec një pjese në kryqëzimin e Tales ku kalimi realizohet me një korsi dhe po menaxhohet trafiku. Forcat e Armatosura po ndihmojnë në zhvendosjen e mjeteve të bllokuara. Një çisternë e FA ka mbërritur për të furnizuar mjetet e mbetura në rrugë pa karburant.


Ne akset Bajram Curri-Valbone, Sopot – Qafë Luzhe, Krumë-Kukës-U.Zapodit, Kukes – Bushtrice, Peshkopi-Ulez e Qafe Mali-Fierze ne veri te vendit kalimi behet me zinxhirë.

Lëvizje e detyrueshme me zinxhirë është edhe në akset Linzë-Shëngjergj e Prrenjas-Qafë Plloçë.
Qarkullimi në akset e rajonit te jugut rekomandohet të bëhet me goma dimërore.

Forcat e Armatosura në bashkëpunim me Policinë e Shtetit kanë rritur gatishmërinë në të gjithë vendin për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve.

Një borëpastruese e Detashmentit të Mbrojtjes Rajonale të Drenovës është angazhuar për pastrimin e aksit Korçë-Kapshticë.

Ministria e Mbrojtjes u bën thirrje të gjithë qytetarëve të evitojnë lëvizjet jo të domosdoshme me automjete, sidomos në akset me prani të theksuar të ngricave.




Skip to toolbar