Prokurori i Dibrës Ramadan Troci është përfundimisht jashtë sistemit të drejtësisë. Komisioni i Posaçëm i Apelimit ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë të vettingut, duke e nxjerrë prokurorin dibran nga sistemi i drejtësisë për shkak të problemeve me disa çështje penale dhe me fshehjen e pasurisë. Kolegji i Posaçëm i Apelimit, i përbërë nga Ardian Hajdari kryesues, Ina Rama relatore, Luan Daci, Natasha Mulaj, Sokol Çomo anëtarë, deklaroi se kanë lënë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili u mor më 15 nëntor 2018.
KPK vendosi që të mos e konfirmonte në detyrë, me pretendimin se kishte gjetur probleme në pasurinë e tij. Më konkretisht, bëhet fjalë për një apartament 94 metra katrorë në zonën e Selitës, ku diferenca e gjetur, sipas avokatit të Trocit, është 700 mijë lekë të rinj. Pas një karriere gati 20-vjeçare në sistemin e Drejtësisë, prokurorit Ramadan Troci iu hapën probleme me pasurinë, konkretisht për një ndërtim pa leje prej 32 metrash katrorë, të ndërtuar nga i ati në zonën e Paskuqanit, në Tiranë. Gjithashtu, KPK-ja mendon se prokurori nuk qartëson kontratën e qirasë të lidhur me një person tjetër për një banesë, në të cilën Troci jeton bashkë me familjen, në zonën e “Pazarit të Ri”.
Gjithsesi mosfillimi e pushimi i hetimeve për 4 aksidente me vdekje e tre plagosje gjatë kohës që ishte prokuror në Bulqizë vulosi shkarkimin prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të prokurorit Ramadan Troci. Pas një denoncimi, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vëzhgoi në Facebook se vëllezërit e prokurorit Ramadan Troci reklamonin aty makina luksoze dhe biznese. Një prej këtyre bizneseve të reklamuar në profilet e tyre sociale, një bar-kafe e mobiluar me luks sipas KPK-së, krijoi dyshime serioze se gjatë kohës që kishte qenë prokuror në Bulqizë e Dibër, Troci kishte favorizuar bizneset e shfrytëzimit të minierave.
Kafeneja zotërohej nga baxhanaku i prokurorit të Prokurorisë së Përgjithshme, i cili pas hetimeve prej Komisionit rezultoi se kishte blerë aksione në një kompani shfrytëzimi miniere. Aksionet, vlera e blerjes së të cilave nuk dilte në dokumente, për të cilat KPK dyshon se ishin pasuri e vetë prokurorit dhe indicie të marra prej denoncimit u bënë shkak për një hetim të thelluar rreth vendimmarrjes së Trocit gjatë kohës që ai punoi në Bulqizë.
KPK, e cila shkarkoi Trocin më 9 nëntor pas procesit të rivlerësimit për “cenim të besimit të publikut te drejtësia” e “deklarim të pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë”, shprehet në vendimin e zbardhur se gjeti se prokurori kishte mbyllur hetimet ndaj kompanive pa kryer veprime hetimore dhe duke përdorur ekspertiza të cekëta, “të pabazuara në prova” e duke mos marrë dëshmi.
Komisioni tha se në 7 çështje aksidentesh të shqyrtuara, me 4 të vrarë dhe tre të plagosur, Troci ua kishte lënë fajin viktimave. “Komisioni, vlerëson se një shpërfillje e tillë dhe neglizhencë ndaj humbjes së jetëve njerëzore, nuk përputhet me rolin e prokurorit”, thuhet në arsyetimin e zbardhur.
Në mbrojtje të tij Troci tha gjatë seancës dëgjimore, se vendimmarrja e tij në këto çështje nuk ishte gjetur me probleme prej Prokurorisë së Përgjithshme, por sipas KPK-së nuk dha argumente për problemet e gjetura. Troci nisi karrierën si prokuror në vitin 2001 dhe prej asaj kohe ka punuar në Bulqizë, Dibër dhe Tiranë. Në vitin 2014, ai u komandua në krye të Prokurorisë së Vlorës dhe prej vitit 2016 punoi si prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme.