Protestuan kundër Dendias, procedohen 18 persona, mes tyre Idrizi, Doda e Abazi

AKTUALITET


Policia procedon penalisht Shpëtim Idrizin, Mesila Dodën dhe Boiken Abazin si tre organizatorët e protestës së sotme të PDIU.

PDIU dhe LVV Tiranë protestuan sot kundër vizitës së ministrit grek, Nikos Dendias në Tiranë për marrëveshjen e detit teksa ka pasur edhe përplasje me forcat e Policisë.

Kjo e fundit nuk kishte dhënë leje për protestën edhe pse PDIU e kishte kërkuar, ndërkohë që në total janë proceduar 18 persona.

Ndërkohë disa prej tyre janë shoqëruar, mes tyre edhe organizatori, drejtuesi i LVV Tiranë, Boiken Abazi.

Policia siguron se u ka vendosur gjobë atyre që gjatë tubimit të PDIU nuk vendosën maskën.

NJOFTIMI NGA POLICIA

Organizuan grumbullim dhe manifestim të paligjshëm, procedohen penalisht 18 shtetas, 3 prej tyre organizatorë të tubimit, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”.

Gjatë zhvillimit të tubimit, Policia para se të ndërhynte për të shpërndarë tubimin, u ka bërë thirrje protestuesve që të shpërndaheshin, pasi po zhvillohej në kundërshtim me masat anticovid.

Në përfundim të veprimeve u proceduan penalisht 3 organizatorët e tubimit Sh. I., M. D., B. A. dhe 15 shtetas të tjerë.

Gjithashtu, në zbatim të Aktit Normativ, shërbimet e Policisë i kanë vendosur masat administrative përkatëse (gjobë), shtetasve që nuk kishin vendosur maskat mbrojtëse.

Policia e Tiranës apelon për të gjithë qytetarët që të zbatojnë me rigorozitet masat parandaluese anticovid dhe iu bën thirrje të gjitha subjekteve politke të mos organizojnë tubime dhe grumbullime duke shkelur protokollet e sigurisë në dëm të shëndetit të qytetarëve.



Skip to toolbar