Policia e Shtetit në bashkëpunim me ministrinë e Arsimit ka vënë në dispozicion 560 efektivë policisë për të mbikëqyrur mbarëvajtjen e provimit të Maturës Shtetërore.
Policia njofton se të enjten “në zbatim të telegramit të Drejtorit të Departamentit për Sigurinë Publike “Për marrjen e masave për shoqërimin e automjeteve të Postës Shqiptare me materialet e provimit të Maturës Shtetërore të datës 07.06.2019, u bë shoqërimi i materialeve të provimit në 10 linja apo destinacione të ndryshme në të gjithë vendin, ku nga Policia e Shtetit kishte angazhuar rreth 20 punonjës police dhe 10 automjete të policisë.
Gjatë natës deri sot (te premten) në orën 08:00 ambientet e DAR/ZA në rrethe u siguruan nga Policia e Shtetit, ku u angazhuan 40 punonjës policie.
Në rreth 206 shkolla në të gjithe vendin do të zhvillohet provimi i parë i Maturës Shtetërore 2019.
Për sigurimin e mbarëvajtjes së provimeve, Policia e Shtetit ka planifikuar me shërbim rreth 560 punonjës police dhe 45 automjete policie”, njofton Policia e Shtetit.
Shërbimet policore janë vendosur në të gjitha strukturat vendore dhe kanë marrë të gjitha masat e nevojshme për të monitoruar gjithë procesin e provimit në të gjitha shkollat ku do të zhvillohet provimi.
Pas përfundimit të provimit përsëri punonjësit e Policisë do të kryejnë shoqërimin e materialeve të provimit në destincaionin përkatës.