Në mbledhjen e së hënës të Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit, deputetët vendosën që të kërkojnë asistencën e Komisionit të Venecias meqenëse çështja është sensitive dhe meqë në Shqipëri po procedohet për herë të parë drejt shkarkimit të presidentit përmes votës në parlament.
Pra shkarkimi i Metës nuk do të ndodhë ashtu sikurse pritej brenda verës, por me shumë gjasa do të shtyhet të paktën deri në datën 8 tetor, datë kur është parashikuar të zhvillohet mbledhja e radhës e Komisionit të Venecias.
Sipas programit të punës të këtij Komisioni data më afër e mbledhjes është 8 tetor, ndërsa seanca tjerë e radhës është data 11 dhjetor.
Ulsi Manja, kreu i Komisionit Hetimor tha të hënën se për shkarkimin e presidentit do të presin datën 8 tetor dhe nëse nuk ka ardhur ende një përgjigje nga Komisioni i Venecias, atëherë deputetët do t’i kërkojnë Kuvendit që të shtyjë afatin e komisionit më shumë se 3 muaj.
“Nëse nuk përmbyllet ky komision brenda afatit të përcaktuar, 3 mujor do i kërkohet Kuvendit të Shqipërisë të shtyhet afati. Varet dhe nga ngritja e Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh Ulsi Manja.
Duket se socialistët po kërkojnë te ezaurojnë çdo procedurë parlamentare dhe jashtë saj, pra duke kërkuar edhe një opinion krejtësisht të pavarur siç është Komisioni i Venecias në mënyrë që shkarkimi i Metës të mos lërë pas asnjë dyshim apo keqinterpretim.
“Në traditën e Parlamentit është që për çështje specifike të natyrës kushtetuese shpeshherë kam marrë mendime të specializuara jo vetëm nga ekspertët vendas, por edhe nga institucione të specializuara, siç është Komisioni i Venecias. Unë do të thosha që ky është rasti për ti drejtuar Komisionit të Venecias me një kërkesë për opinion për sa kohë shumë çështje i referohen faktit të sjelljes nga ana e presidentit në mënyrë arbitrare. Këto janë çështje në fokus të komisionit të Venecias, i cili do ta ndihmoj shumë komisionin tonë për një përfundim sa më të saktë dhe sa më të plotë të punës së tij”, tha deputetja e PS Klotilda Bushka, e cila propozoi Komisionin e Venecias.