Pse avokatia e vonuar e Berishës, nuk e ngroh Ilir Metën?  

Më të fundit


Edhe pse Sali Berisha u përpoq të ishte dhe më i ashpër se Ilir Meta në sulmin ndaj Qeverisë, pas nisjes së hetimeve ndaj Ilir Metës, avokatia e tij nuk e ka bërë entuziast Ilir Metën. Ai nuk ka asnjë gjest falenderimi ndaj tij dhe as ndonjë shenjë se ndjehet i mbrojtur nga Sali Berisha. Dhe për këtë ka arsyet e veta.

Së pari, ai e ndjen se reagimi i Berishës nuk lidhet me ndjeshmërinë që ai ka ndaj fatit juridik të Metës, por nga kujdesi që mbështetësit e Metës të mos ndjehen të tradhtuar prej Berishës, nëse Meta arrestohet. Me pak fjalë, Berishës i intereson që ish- kontingjenti i ish- LSI, të jetë i bindur se Berisha i qëndroi Metës deri në fund, pavarësisht se nuk e mbrojti dot.

Por kjo nuk është se i ka shpëtuar Ilir Metës. Berisha, i cili bën thirrje për protesta e mitingje dhe për ngjarje aksidentale, për nisjen e hetimeve ndaj Ilir Metës u mendua gati 10 orë dhe vetëm pasi mori mesazhe agresive nga Ilir Meta për tradhti, u detyrua të reagojë në panik me një deklaratë që ishte aq qesharake për nga radikalizmi, sa nuk i bënte punë as Ilir Metës.

Në asnjë rresht Berisha nuk kishte prekur SPAK, apo drejtësinë, por e kishte ngritur stekën tek Edi Rama, për ta politizuar çështjen, por dhe për të ruajtur veten nga përballja me ta.

Së dyti, Meta e ndjen se Berisha dhe mbështetësit e tij janë në një luftë të ftohtë me të, lidhur me elektoratin e opozitës. Njerëzit më të afërt të Berishës po e artikulojnë publikisht shqetësimin se Meta po kërkon t’i marrë bazën elektorale Berishës, pasi e quan veten më me perspektivë se Berisha, si lider opozite. Të paktën ende nuk është “non grata”. 

Pikërisht këto perceptime të njerëzve të Berishës dhe goditjet që po i vijnë Metës, fillimisht nga Autoriteti i Dosjeve dhe tani nga SPAK, e bindin atë se Berisha do të ndjehej i lumtur që Ilir Meta të vritej, por jo me dorën e tij, por të të tjerëve. Në rastin konkret, me dosjen e komunizmit apo të korrupsionit. Apo siç ka qejf ta thotë me Berishën, me dorën e Edi Ramës.

Së treti, që është dhe më flagrante, Meta e percepton betejën ndaj e pushtetit tij, si një betejë të egër për të lënë të vetëm në opozitë Berishën. Dhe këtë ai e lidh me një marrëveshje të heshtur të Ramës me Berishën, pasi Ramës i duhet si opozitar Berisha, ndërsa Berishës i duhet legjitimiteti i liderit të opozitës, qoftë dhe në rrugë informale.

Meta nuk e shpjegon dot, përse SPAK i turret Metës për ca dosje korrupsioni dhe jo Berishës për dhjetëra varre, apo nuk e kupton dot pse Rama kërkon ta eliminojë si ish- bashkëpunëtor Sigurimi, kur fyen partinë e vet që e ka parti që ka lindur Sigurimin e Shtetit. I vetmi shpjegim është që Rama kërkon t’i pastrojë fushën Berishës dhe të vazhdojnë gjatë bashkë, njëri duke ulëritur e tjetri duke bërë sikur nuk dëgjon.

Të gjitha këto janë arsye të mjaftueshme për Ilir Metën të mos ndjehet entuziast për “avokatinë” e vonuar të Berishës ndaj tij. Nuk është se do t’i bënte punë po të kishte reaguar në kohë, por thjesht e kupton se ai është më shumë duke pritur ditën kur të qajë për Ilir Metën, se sa ditën kur duhet të gëzojë bashkë me të. 



Skip to toolbar