Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali, e deleguar nga kryeministri Rama, që është edhe ministër i Jashtëm për t’iu përgjigjur pyetjeve të opozitës lidhur me interpelancën për çështjen e 11-vjeçarit shqiptar në Siri dhe të tjerëve, u shpreh se qeveria është duke bërë gjithçka është e mundur për të kthyer fillimisht gratë dhe fëmijët.

“Kas pasur shkëmbim informacione me partnerët për të shqiptarët që gjendeshin në atë zonë, por të gjithë jemi të vetëdijshëm se përballja me këtë fenomen kërkon para së gjithash ndërgjegjësim social, përveç komunikimit dhe ndërveprimit me partnerët. E bërë këtë përmbledhje për të gjithë ata në këtë sallë apo jashtë, që mendojnë se filluam të kujdesemi për këtë problem pas rastit të fundit. I kemi kushtuar vëmendje të veçantë luftëtarëve shqiptarë që kanë marrë pjesë në konflikt. Situata në Siri është tejet e komplikuar”, deklaroi Spiropali.
Më tej, ajo ka shpjeguar dhe arsyet pse është e vështirë që Alvini të rikthehet në Shqipëri në një kohë të shkurtër, pavarësisht se konfirmoi se qeveria po bën gjithë përpjekjet për ta rikthyer sa më shpejt. “Shqiptarët kanë kaluar kufijtë në mënyrë të paligjshme, ndërsa kanë ndryshuar edhe emrat, duke e bërë të vështirë identifikimin. Shumë prej tyre kanë udhëtuar pa mjete identifikimi, osei kanë shkatërruar ato. Shqipëria është duke bërë gjithçka është e mundur për të kthyer fillimisht gratë dhe fëmijët. Hapat e ndërmarrë nuk mund të bëhen publike, pasi do të ishte e papërgjegjshme, pasi do të vinte në rrezik operacionin. Duke zbuluar identitetin e tyre i ekspozojmë përpara një rreziku vdekjeprurës. Për pasoja do u lutesha mos të kompromentojmë situatën dhe jetën e personave që po përpiqemi ti shpëtojmë. Ju garantojmë se institucionet e përfshirë po bëjnë detyrën me profesionalizëm pa zhurmë dhe bujë”, tha ajo.
Elisa Spiropali theksoi se në fund të gushtit qeveria shqiptare tentoi në një operacion për kthimin e shqiptarëve që kanë qenë pjesë e ISIS dhe tani mbahen në kampe, por dështoi për shkak të rindezjes së konfliktit.
Elisa Spiropali u shpreh se kampi Al Hol ku ndodhet Alvin Berisha është i sigurt, ndërsa vijon puna me partnerët për t’i nxjerrë për t’i riatdhesuar. “Detajet mbi rastin e djalit nuk dua të hyj, por prezenca e tij në kamp është njoftuar nga Kryqi i Kuq në Kajro te ambasada jonë në fillim të shtatorit. Babai i djalit mori një letër nga djali në 27 qershor, ambasada jonë në Romë është kontaktuar nga ministria italiane në 20 shtator. Po në 20 shtator erdhi një telefonatë në konsullatë në Milano nga programi ku theksohet se do të udhëtohej drejt Sirisë. Ka një komunikim në vijim me familjen Berisha. Tani në kampion Al Hol ka ndodhur në 25 shtator, përpjekjet për të riatdhesuar të gjitha gratë dhe fëmijët vijojnë”, tha ajo.
