Punonte pa licensë, AKU gjobit dhe pezullon aktivitetin e biznesmenit italian në Tiranë

AKTUALITET


Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka gjobitur dhe ka pezulluar aktivitetin e një biznesmeni italian në Tiranë, i cili ushtronte aktivitetin e tij prej 7 vitesh, ndërkohë që nuk kishte asnjë licensë.

Për këtë shkak ai është gjobitur me 2.2 milion lekë dhe pezullim aktiviteti.

Drejtoria Rajonale e AKU Tiranë njofton se ka ushtruar kontroll në biznesin e italianit pas denoncimit nga një grup banorësh në zonën e Kodrës së Diellit. “AKU ushtroi kontroll në subjektin “Gioacchino Raia” me aktivitet “Tregtim dhe prodhim të produkteve të brumit” dhe përfaqësues ligjor shtetasin italian Gioacchino Raia. Kontrolli i kryer evidentoi se subjekti inspektohej për herë të parë sepse nuk ekzistonte në asnjë regjistër të AKU. Nga inspektimit rezultoi se subjekti ushtronte aktivitetin i papajisur me licencën përkatëse. Ai tregtonte produkte të paetiketuara dhe të pa notifikuara si dhe nuk zbatonte sistemin e vetëkontrollit.

Për shkeljet ligjore të konstatuara, trupa ri-inspektuese vendosi ndaj subjektit: 3 masa administrative “Gjobë” në vlerën totale 2,200,000 lekë, si dhe “Pezullimin e aktivitetit” në mënyrë të menjëhershme, deri në plotësimin e kërkesave ligjore dhe licencimin”, njofton AKU.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit inkurajon të gjithë konsumatorët që të bashkëpunojnë duke denoncuar çdo rast shkelje apo abuzimi, duke kontribuar kështu në përmirësimin e mëtejshëm të Sigurisë Ushqimore në vend.



Skip to toolbar