Qëllohet për vdekje me thikë 15 vjeçari shqiptar. Flet e ëma

AKTUALITET


Një ngjarje rëndë ka ndodhur në Britani ku gjatë një sherri mes adoleshentëve është qëlluar për vdekje me thikë një 15 vjeçar shqiptar nga Kosova.

Elton Gashaj, u gjet i plagosur në Salt Hill Park, Slough, të shtunën pasdite dhe më pas ndërroi jetë për shkak të plagëve të marra me thikë në gjoks.

Policia ndërkaq ka arrestuar një bashkëmoshatarin e tij, i cili dyshohet se është autor i vrasjes. Policia gjithashtu njofton se janë ndaluar në vendngjarje dy adoleshentë të tjerë, njëri 15 dhe tjetri 17 vjeç dhe më pas janë lënë të lirë, ndërkohë që hetimet vijojnë.

Familja e Eltonit u shpreh për mediat se ai ishte “djali më i ëmbël dhe vëllai më i dashur”.

“Është e vështirë të besosh se Eltoni nuk do të jetë më mes nesh. Ai gjithmonë do të jetë në zemrat tona dhe nuk do të harrohet kurrë”, theksuan ata në një deklaratë.

Vera Gashaj, e ëma e Eltonit tha se ajo e kishte paralajmëruar policinë se djali i saj kishte pësuar sulme të mëparshme dhe ishte përzier me “njerëz të këqij”.

Zonja Gashaj, me origjinë nga Kosova, tha: “Unë i thashë policisë se djali im nuk ishte i sigurt. Dy ose tre herë ai ishte rrahur në rrugë. Ai kishte një krah të thyer”.

Banorët e zonës  kanë bërë të ditur se parku i patinave në Salt Hill Park në Slough, Berkshire, është kthyer në një zonë të nxehtë dhune mes të rinjve dhe tregtarëve të drogës.



Skip to toolbar